
Ja si do të shpërblehet kombëtarja shqiptare nëse kalon grupet!
Dritare.net

Vendimi i qeverisë për të shpërblyer ekipin kombëtar erdhi pas fitores së parë historike që Kombëtarja shqiptare e futbollit realizoi ndaj Rumanisë të dielën në Lion të Francës. Në vendimin e qeverisë, të firmosur nga kreu i qeverisë Rama, thuhet se fondi prej 1 milion eurosh ka kaluar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me qëllim shpërblimin e ekipit kombëtar të futbollit.
Fondi i është bashkangjitur buxhetit për vitin 2016 të Ministrisë së Arsimit, duke u shtuar si “shpenzim korent”. Kundërvlefta në lekë e këtij fondi do t’i akordohet në formën e transfertës Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u përdorur për shpërblimin e futbollistëve. Shpenzimet për këtë shpërblim të Kombëtares do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe vendimi ka hyrë menjëherë në fuqi, që nga dita e djeshme.
Por vlera monetare që secili prej futbollistëve dhe i gjithë stafi i Kombëtares do të përfitojnë nga qeveria nuk do të jetë i vetmi. Në komunikimin telefonik që pati me përfaqësuesen kombëtare menjëherë pas ndeshjes me Rumaninë, Kryeministri Rama premtoi se do të akordojë pasaporta diplomatike për të gjithë Kombëtaren. “E para e punës, që nga Presidenti Duka deri te ndihmësi më i thjeshtë, keni të gjithë pasaporta diplomatike. Mirënjohje!”, kanë qenë fjalët e para të Ramës për djemtë e Kombëtares.
FEDERATA Goli historik i sulmuesit Armando Sadiku ndaj Rumanisë, i cili i dha edhe fitoren e parë Kombëtares shqiptare në një Europian, do të marrë një shpërblim të majmë edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Krahas shpërblimit të dhënë nga Qeveria shqiptare në vlerën e 1 milion eurove, Federata do të shpërblejë Kombëtaren me 2 milionë euro të tjera. Vendimi për këtë sukses u është komunikuar edhe vetë futbollistëve.
Falë fitores së Kombëtares ndaj Rumanisë, Federata Kombëtare e Futbollit do të përfitojë 1.5 milionë euro që UEFA i jep për çdo fitore në fazën e grupeve. Ndërkaq, nëse Shqipëria do të arrijë të kalojë grupet, duke u shpallur si një nga 4 të tretat më të mira, Federata Shqiptare e Futbollit do të shpërblehet edhe me 10 milionë euro të tjera. Nëse kjo gjë ndodh, sigurisht që edhe premiot e tjera për lojtarët e Kombëtares pritet të mos mungojnë.

















