
Ish-drejtori i Policisë: Shërbimet e huaja e dinë kush është vrasësi i Azem Hajdarit
Dritare.net

“Për kokën e Azem Hajdarit janë paguar 150 mijë dollarë. Këtë shifër na ka përmendur si të vënë në dispozicion të vrasësve, një shërbim i huaj inteligjence. O Zot, çfarë bëhet kështu!”, vetëm kaq kam mundur të them kur e kam dëgjuar për herë të parë një gjë të tillë, që më pas, megjithatë nuk është bërë kurrë publike”, është shprehur Sokol Baraj në atë kohë.
“Ka pasur një proces, janë dënuar disa individë si ekzekutorë, por ideatorët e tij nuk janë zbuluar akoma. Por nëse ata nuk kanë një emër konkret për publikun shqiptar, për shërbimet e huaja që kanë asistuar apo survejuar zhvillimet kaotike shqiptare, ata janë krejt të njohur. Në mos sot, nesër, e vërteta do të dalë plotësisht në dritë dhe në një mënyrë tronditëse”, thotë Baraj dhe këtu ndalon. Beson se shumëçka ka mësuar për shkak të detyrave të shumta dhe të rëndësishme që ka mbajtur, është i detyruar dhe më tej t´i mbajë larg kureshtjes së zakontë të publikut, por ka bindjen se “asnjë e vërtetë nuk ka të drejtë të mbetet në varr për shumë kohë, nuk mund të mbetet enigmë përgjithmonë”.
Sokol Baraj pohon se, atentati ndaj Azem Hajdarit është një nga misteret e tranzicionit. Një mister për publikun, por që është krejt e zbardhur në “dosje të fjetura” shqiptare dhe sidomos në ato që kanë agjencitë e specializuara perëndimore. “Deri tani dihen dhe janë ndëshkuar ekzekutorët, por jo ideatorët e këtij krimi. Nëse shihni me vëmendje dokumentet e procesit, mungon motivi i vrasjes së deputetit të PD-së. Sot apo nesër, ditën kur politika do të lërë drejtësinë të veprojë, kjo dosje do të hapet pa diskutim. Ai që mendon se gjithçka ka mbaruar, thjesht e ka gabim”, thotë Baraj.

















