

Ndërsa shqiptarët bëjnë share e like për lajmet me vajzat e djemtë e showbiz-it banal, që nuk ka zë, talent, klas, që nuk prodhon, vetëm shet, ndërkohë, ata vazhdojnë mblidhen, diku, në periferi të vëmendjes së likeve edhe shareve.
Mblidhen dhe tregojnë punën e njerëzve të vërtetë të artit kombëtar shqiptar të këtij vendi.
Ata janë Shqipëria e mrekullueshme e artistëve të jashtëzakonshëm të këtij vendi. Ju ftojmë të ndajmë së bashkë, në dritare.net, “Një ftesë në atelie”.
“Ftesë në Atelie” është dokumentari i shfaqur për nder të skulptorit Thoma Thomai. Premiera e shfaqur në 13 Mars në Kinema Millennium është një punë e realizuar nga regjisorët e mirënjohur Piro dhe Eno Milkani.
[ot-video][/ot-video]
Salla mbushet shpejt, janë të shumtë artistët të cilët kanë ardhur për të nderuar skulptorin Thoma Thomai por edhe për të vlerësuar punën Piros dhe Enos.
Në hyrje skenaristi i dokumentarit Piro bën prezantimin duke kujtuar figura të rëndësishme të lindura në vitin 1936, si Dhimitër Anagnosti, Ismail Kadare e ndër to është edhe Thoma Thomai.
“1936 ka qenë një vit i mbarë. Me këtë realizim ne “nxituam me ngadalë” (shprehje çeke)
dhe hap pas hapi ndoqëm punën e Thomait. Ju do të shihni një vepër të plotë,”- ka shtuar Milkani.
Është një nga ata dokumentar ku njeh, mëson, vlerëson e më pas admiron punën e një artisti të madh. Nëpërmjet realizimit kupton natyrën modeste të tij, sheh vepra që janë një art i vërtetë.
Por për të kuptuar më shumë mbi dokumentarin dhe z. Thoma, flasin për dritare.net dy regjisorët, Piro dhe Eno.
Piro: “Filmi është xhiruar shumë ngadalë për rreth 3 vjet, arsyet kanë qenë komplekse. Por duke qenë shumë i afërt me Thomain, miqësi 61 vjeçare, e kisha frikë që do bija në vogëlsira, prandaj hezitoja. Por megjithatë, gjithë kjo zgjatje ishte shumë pozitive, pasi brenda filmit ke skicimin, modelimin në baltë, derdhjen në allçi, derdhjen në bronz dhe inaugurimin, gjë që shkon 2 vjet.”
Eno: “Ideja ka lindur shumë më parë, kur morëm porosinë për të bërë filmin për Ismail Kadarenë e më pas vazhduam me Dritëro Agollin. Ishte dëshira jonë që të vazhdonim me këto figura sepse askush nuk po kujtohej dhe dokumentari “Ftesë në Atelie” ka qenë nismë vetjake.”
“Filluam pikërisht kur Thomai po punonte monumentin “Nëna Shqiptare”. U ndoq procesi i plotë deri te inaugurimi që u bë në Maqedoni. E ndoqëm Thomain në jetën e tij të përditshme, intervista, mbledhje materialesh,”-shton Eno.
Filmi është bashkë-produksion i BUNKER FILM dhe Televizionit Publik, ky i fundit do ta prezantojë për publikun e gjerë.
Një portretizim i plotë i një artisti modest i cili nuk është shumë i njohur për publikun e gjerë, por që ka bërë me qindra vepra dhe vazhdon të punojë.
Eno: “Në fillim Thomai nuk donte, pasi si natyrë modeste gjithmonë mendon se ende nuk ka bërë atë që duhet të bëjë. Kur shkuam ditën e parë, Thomai ishte pak konfuz, nervoz dhe ato plane që u bënë, nuk u përdorën. Kur shkuam ditën e dytë, përsëri nuk kishte shumë rezultat pasi na tha që ende nuk kishte një punë shumë të mirë në duar. U morëm fillimisht vetëm me fotot që kishte. Më pas, erdhi pjesa e intervistës ku Thomai dha rrëfimin e tij.”
Piro: “Kur i dhashë një kopje Thomait që e pa me familjen e vet, isha në ankth të prisja si do të reagonin. Reagimi i tyre ishte shumë pozitiv, ata thanë që është arritur ajo që duhet, prandaj ishte emocion për mua.”
Për realizimin e produksionit regjisorët janë bazuar në Arkivat e Shtetit, dokumentarë apo edhe kronika të ruajtura të arkivin privat BUNKER FILM. Për këto baza materiale Piro thotë:
“Filmat e mirë e kronikat e mira janë si puna e verës, sa më të vjetra, aq më shumë vlerë kanë. Sot mbas 60 vjetësh ato tingëllojnë më bukur se janë nostalgji e së kaluarës.”
[ot-video][/ot-video]
Për sa i përket bashkëpunimit me babanë, Eno flet me tone krenarie, gjithashtu dallohet qartë vlera e punës në skuadër.
“Piro është një mentor shumë i mirë për sa i përket punës, si për shembull, tek ky dokumentar janë disa fakte historike të cilat janë të tijat, të skenaristit që pa diskutim e pasurojnë dokumentarin. Bashkë me Piron ecim në terren të sigurt dhe do vazhdojmë bashkëpunimin se punojmë shumë mirë bashkë.”
Në fund, dy regjisorët flasin për rëndësinë që ka dokumentari dhe mirënjohjen për z.Thoma.
Piro: “Filmi ka një vlerë pasi bëhet fjalë për veprën e një artisti të madh e skulptor të njohur. Sa më shumë vepra artistike e portrete njerëzish të shquar, aq më të qetë shpirtërisht ndihemi.”
Eno: “Për mua është e rëndësishme që behët dokumentari, pasi është një dëshmi që mbetet. Thomai është shembull për të tjerët, për të rinjtë, se si njeriu duhet të punojë përditë, që të lërë diçka pas.”
Roza Anagnosti shprehet për dritare.net:
“Thomai është një skulptor i mrekullueshëm, më dha shumë emocion, pasi ai gjithmonë ka pasur e ka një ndjeshmëri të madhe. Prandaj është shumë i vlefshëm edhe si dokumentar për brezat që vijnë, të njohin më afër artistin tonë. Me veprën e tij Thomai përfaqëson një identitet të jashtëzakonshëm të kulturës sonë.”
“Kjo ishte një dhuratë shumë e bukur, jo vetëm për Thomain, por edhe për ne. Piro dhe Eno bënë një punë jashtëzakonisht të mirë, një nismë personale, e për mendimin tim kjo duhet të institucionalizohet,”- përfundon aktorja e mirënjohur.
Ndërkohë Elvira Diamanti, thotë se ky është një realizim që ka rëndësi të madhe për kulturën tonë.
“Kur bëhet fjalë për një dokumentar ka shumë elementë brenda dhe pikërisht ky dokumentar është shumë interesant sepse ka vetë elementin njeri, Thomain, punët e tij, atë çka thonë të tjerët dhe në fund puna e regjisorit. Mua personalisht mu duk një dokumentar shumë i mirë sepse ma solli më afër Thoma Thomain, më bëri të shoh e të njoh vepra të cilat nuk i kisha parë. Për shembull, ‘Monumenti i Borovës’ më ka mrekulluar.”
Një film që na rikujton punën e paçmueshme në fushën e artit e kulturës të artistëve të mirënjohur shqiptarë, na bën të mësojmë nga ata e të krenohemi me vepra që lënë gjurmë./dritare.net/

















