I bukur Budapesti, por mua më zhgënjeu pak

Nga Fjorda Llukmani

Kohët e fundit të gjithë e keni vënë re një dyndje të shqiptarëve në Budapest. Me WizAir nga Tirana ka linjë direkte dhe biletat shkojnë maksimumi 70 euro, nëse i kap të paktën një muaj para. Unë e vizitova për herë të parë për festat e fundvitit, para 1 viti e pak. Madje kam shkruar dhe në dritare.net ndjesitë e udhëtimit atje.

Kësaj here ishte ndryshe. Nga Vjena, Budapesti është 4 orë larg me autobus. Meqë kishim pushimet e pashkëve thashë pse jo, ta vizitoj të paktën në kohë me diell. Mendoj se të jep tjetër ndjesi, kur shkon në stinë të ndryshme, ama të them të drejtën u zhgënjeva pak.

Autobusi u vonua 3 orë më shumë. Pastaj m’u prish qejfi nga trafiku në dalje të Vjenës. Siç duket shumë po niseshin jashtë qytetit për të festuar Pashkët. Arrij në Budapest rreth orës 11 të darkës. I zoti i shtëpisë që prenotova në AirBnb ishte djalë i ri dhe shumë i sjellshëm. I thashë që s’kisha lekë kesh, por po vdisja për të ngrënë. Më qerasi me një picë, e patëm kohë të bënim muhabet.

‘Vjet në verë doja të vija në Shqipëri sepse pamë disa foto në internet bashkë me të dashurën time. Na pëlqeu shumë, por na u duk vend i pasigurt për të fjetur në çadra kampingu.”,-më thoshte ai në muhabet e sipër. Një të filluar unë me mburrjet për vendin tim, aq sa ndërroi komplet mendim. E mbyllëm bisedën me idenë se do të na vizitonte këtë verë.

Të nesërmen në mëngjes ishte një vapë që ç’të them. Dyqanet mbyllur për shkak të festës. Dolëm një shëtitje te Budapest Eye me idenë për të thyer disa lekë. Të gjithë na sugjeruan të paguanim me kartë, ose tërhiqnim lekë nga banka. Këmbimet e parave mbanin komision ose kishin vlerë të ulët. Prandaj nëse keni ndonjë kartë në euro akoma më mirë. Megjithatë ne shqiptarët kur shkojmë për pushime e hedhim lekun vu. ‘Hë mër mo se s’bo kshu robi për 2 euro.’,-do të thoshte ndonjë nga shokët e mi.

Dyndja e turistëve më bezdisi. Pak kisha vapë, e pak njerëz ngjeshur kudo vërdallë meje. Edhe po të duash të bësh ndonjë foto vetëm, harroje. Sidomos në këto vendet që duhet mbajtur radhë për t’u futur brenda, lutu mos të qëllojë ndonjë grup kinezësh para.

Kaluam urën e famshme Széchenyi në këmbë e u ngjitëm për te Fisherman Bastion. Kur e vizitova për herë të parë, nuk ishte nevoja që të paguaje te ballkonet për të parë pamjen e qytetit nga lart. Por kësaj here po.

Megjithatë diku në cep është akoma një vend që ia vlen për foto. Ka shumë njerëz ngjeshur e ngjeshur, por do të presësh derisa ata të ikin. Bëra një foto para kishës Matthias. Nuk ma mbajti të futesha brenda sepse radha ishte gjysmë kilometri pa frikë.

Vazhduam prapë në këmbë rrugën që të çon te Buda Castle. Qyteti është i ndarë në dy pjesë, Buda dhe Pesti. Shumë kohë më përpara kanë qenë të ndarë, derisa u bashkuan i dhanë emrin Budapest.

LEXO DHE :  Tiranë/ Hidhet nga kati i 9 i pallatit, vdes 61-vjeçari

Në fakt Buda është pjesa ime e preferuar sepse ka kodra, ndërsa Pesti është komplet fushë. Rrugës për te kalaja ka dyqane nga të dyja anët. Po ashtu një biçim pedonaleje e lezetshme me pemë me ngjyrë rozë. Mund të ishin qershi, por që mos të gaboj më mirë po i cilësoj me ngjyra.

Te kalaja pamë një shfaqje ushtarësh, le ta quajmë. Filluan duke bërë lëvizje si në ushtri. Të tilla kam parë në Athinë e në Pragë. Por është lezetshëm si njerëzit mblidhen rreth e përqark tyre duke i filmuar, e ata prapë nuk bezdisen e vazhdojnë praktikën e tyre. Ushtarë mo të disiplinuar!

Buzë Danubit janë disa shtëpiza të vogla që servirin ushqime të shpejta. Ushqimet janë të shijshme, por kanë goxha yndyrë. U fryva aq shumë sa qeshë tu plas. Ama këta hungarezët si honeps dot fare si popull! Unë jam një udhëtare tipike e qeshur me të gjithë. Sidomos me persona që punojnë në fushën e shërbimit si kamerierë, banakierë, recepsionistë në hotel etj.

Nuk e di, por këta lloj njerëzish s’dinë fare të sillen me turistët. Unë i flisja anglisht ajo më kthehej në gjuhën e saj. I thosha ‘Nuk të kuptoj’ edhe prapë vazhdonte si e bezdisur. Gjynah edhe gocë e re s’di me bo dy pazare në anglisht. Për më tepër që jemi në një qytet shuuuumë të vizituar nga turistët.

Kjo histori më ka ndodhur shpeshherë në Budapest, duke përfshirë dhe herën e parë. Duken si të bezdisur nga njerëzit. Por minimumi të kenë kulturë e të merren vesh me shenja. As turqit nuk flisnin anglisht, ama me gjuhën e trupit merresha vesh aq mirë. Nejse kushdo që t’më pyesë për Budapestin do t’ua them me zë të lartë përshtypjen që kam për ta si njerëz.

Në darkën e Pashkëve bëmë një shëtitje në qytet. Shikoja shumë izraelitë tipikë me kapuç në kokë që organizonin mbledhje ose takime me rastin e festës. Janë disa lagje me Sinagoga të famshme ku jetojnë vetëm izraelitë. Më pëlqen sa të bashkuar janë me njëri-tjetrin.

Qershia mbi tortë e asaj dite ishte shëtitja me varkë në Danub. Zgjodha ta bëj natën sepse gjoja ngjan më romantike. Në fund të fundit ditën mund ta shohësh qytetin nga kodrat që ju përmenda më sipër.

Zgjati rreth një orë dhe paguam 15 euro përfshirë dhe dy pije. Ah sa bukur ngjante natën! Ishte dhe hënë e plotë që shkëlqente. Pamja më fantastike qe kur kaluam pranë Parlamentit. Një ndërtesë si e punuar me dorë. Fiks si kalatë që ndërtonim në plazh kur ishim të vegjël.

Pak më vonë i futa një xhiro te Szimpla Kert, pub-i im i preferuar në botë, e u ktheva në shtëpi. Më kishte kapur dielli pa pritur e pa kujtuar. Të nesërmen kisha planifikuar të harxhoja gjithë ditën në banjë termale, por dilema e madhe ishte te cila prej tyre?

Këtë do t’ua shpjegoj në një tjetër artikull që t’i mbani vesh këshillat e mia para se ta vizitoni Budapestin./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.