
Nga oda e burrave në atraksion turistik. Si ruhet tradita në Rabdisht të Dibrës!
Dritare.net
Në fshatin malor të Rabdishtit, Diber, ku natyra është ende e paprekur dhe jeta rrjedh në ritmin e saj të ngadaltë, një traditë e hershme shqiptare është kthyer sot në një prej atraksioneve më të veçanta për turistët: oda e burrave.
Në bujtinën “Guest House Sabriu”, e ndërtuar me gurët karakteristikë të zonës, oda e dikurshme ku mblidheshin burrat e fisit për biseda, kafe dhe vendimmarrje, është ruajtur e pandryshuar. Me mangallin që ngroh dhomën në dimër, me kafenë e zier në prush dhe me atmosferën e ngrohtë të një kohe që nuk kthehet, kjo hapësirë ka mbetur një tempull mikpritjeje dhe kujtese shqiptare.
Sabri Shahini, i zoti i bujtinës, tregon për Dritare TV se turistët e huaj mahniten nga kjo dhomë. “Në oda nis gjithçka. Ulet miku, pimë kafe, bëjmë muhabet si dikur. U tregoj historinë e shtëpisë, të fshatit, të familjes. Oda nuk është thjesht një dhomë – është mënyra jonë për të treguar se kush jemi.”
Dikur vend për burrat e fisit, sot oda i hapet çdo vizitori, pavarësisht prejardhjes apo gjinisë. Ajo është kthyer në një pikë takimi kulturore, ku shkrihen kufijtë mes të kaluarës dhe të tashmes.
Në bujtinën e Sabriut, gjithçka ruhet me dashuri: televizori i vjetër, radioja, raftet prej druri, pasqyra e nusërisë, dhe sigurisht, odat ku dikur ndiznin zjarrin e burrnisë dhe sot ndizet zjarri i mikpritjes për turistët që vijnë nga e gjithë bota./dritare.net

















