Kjo është shtëpia më e veçantë e ndërtuar 300 vite më parë në Saraqinisht!
Dritare.net
Në Saraqinishtë çdo portë, ka një histori. Shtëpitë qëndrojnë varg me njëra-tjetrën, buzë rrugicave shtruar me kalldrëm.
Dritare TV ishte në njërën prej shtëpive më identifikuese të fshatit, që historinë e ka të gdhendur në hyrje të saj, në portën pritëse. Profesor Vaso Bakuli, tregoi për Dritare TV, veçantinë e Portës së familjes Neti, më të bukurën e gjithë Lunxhërisë.
“Këtu është porta Neti. E vetmja portë e këtij lloji në gjithë jo vetëm në krahinën e Lunxhërisë, por në gjithë trevën. Ka vlera të veçanta monumentale përsa i përket ndërtimit, stilit, hapësirës dhe madhësisë. Kjo shtëpi është ndërtuar 300 vjet më parë. Harqet e portë janë të gjitha të gdhendura dhe një detaj që dua të veçoj është motivi i gjarprit, që është përdorur në ndërtime të ndryshme, si një tregues i mirë.
Është portë me tre harqe. Kolonat janë tejet te veçanta, nuk gjendjet në asnjë ndërtesë përreth e më gjerë këto kolona. Në cepin e ndërtesës në një gur janë gdhendur disa gra në valle. Është motivi i vallesh lunxhiote. Kjo është një shtëpi tipike lunxhiote.
Fisi Neti është shumë i madh, shumë nikoqir. Janë marrë me biznes që në kohën e perandorisë osmane. Një pinjoll i këtij fisi ishte sipërmarrës për mishin në perandorinë osmane. Ka bërë edhe vepra bamirësie, ku një ndër to është edhe shkolla e fshatit të Saraqinishtës.
Lefkotheja është një prej vajzave të këtij fisi.
Djali i vogël i saj e rikonstruktoi portën duke e shpëtuar nga shembja. Është interesante ndërtimi i kësaj porte që nuk është vetëm për qëllim zbukurues. Për shembull sofatet jo vetëm që janë të bukura por kanë edhe një funksion. Kur bëheshin dasma, njerëzit qëndronin këtu.
Para portës së kësaj shtëpie është realizuar edhe dasma lunxhiote nga profesor Ramazan Bogdani, në vitet 75-78”, tregoi profesor Vaso për Dritare TV./ dritare.net