
Grabitja e madhe/ Vila e Zogut dhe Vila e Hoxhës
Dritare.net

E ndërtuar në një kodër sipër Currilave, nga vila e Zogut mund të shikosh Durrësin në pëllëmbë të dorës. Por vetëm Durrësin. Vilën jo.
Sapo ngjitesh rrugës për tek vila e Zogut, përballesh me disa dyer të hekurta dhe sheh një tabelë “Pronë private” që tregon se është e ndaluar për vizitorët edhe pse nga kjo vilë ka kaluar historia publike, pothuaj 100 vjeҫare e Shqipërisë.
Historia, ndërtimi i vilës.
Vila u ndërtua në vitin 1927, dhe në faqen zyrtare online të pasardhësve të Ahmet Zogut, për këtë ndërtesë shkruhet:
“E ndërtuar në vitin 1927, kjo vile ishte një dhuratë personale për Mbretin Zog I, nga komuniteti i biznesit të Durrësit ne shenjë respekti dhe nderimi.
Ndërtuar në formën e një shqiponje, ajo u ngrit në pikën më të lartë të qytetit të Durrësit. Ajo është shumë e famshme për mermerin e saj Blu dhe sallonin madhështor…”
Në vitin 1928, kjo vilë mori emrin “Vila mbretërore” për arsye se Zogu shpalli monarkinë dhe u vetshpall mbret.
Vila gjatë sistemit komunist është ruajtur, por u dëmtua gjatë trazirave të vitit 1997, ndërsa pas vitit të mbrapshtë iu nënshtrua një restaurimi.
Ҫfarë kanë thënë për vilen
Në 1940 Giusepe Martino, një milioner italian e konsideronte vilën, si pallatin veror me të bukur ne Ballkan.
Gjate viteve te Luftës së Dytë Botërore u përdor nga krerët e lartë të ushtrive pushtuese si rezidencë.
Më 7 prill 1939, trupat italiane zbarkojnë në portet shqiptare, ndërsa Zogu u largua në Greqi. Tashmë Shqipëria formalisht ishte mbretëri e pavarur dhe ushtrimi i funksionit mbretëror i takonte mëkëmbësit Jakomoni. Pas daljes së një dekreti mëkëmbësor dhe bazuar tek ai, me dekrete të veçanta të Ministrit të Drejtësisë, u bë transkriptimi i pasurive shtetërore ende të patranskriptuara, në favor të shtetit, dhe sekuestrimi i tyre.
Më pas, një sekuestrim i dytë dhe shtetëzim do të bëhej nga regjimi komunist, ku vila e Durrësit do të shërbente për një kohë të gjatë si rezidencë qeveritare.
Mjaft udhëheqës të huaj, nga Hrushovi tek princi kamboxhian Sihanuk, do qëndronin në mjediset e saj, duke u larguar me përshtypjet më të mira.
Kthimi në pronë private
Vila e Durrësit me 6 mijë metër katrorë mbeti e paregjistruar në zyrën e hipotekës në emër të shtetit, ҫka bëri që në vitin 2006 qeveria Berisha t’ia kthente Princ Lekës vilën.
Kështu nga një aset me vlera të mëdha historike , Berisha lejoi kthimin e saj në një zonë private.
Por në vitin 2010 Princi Leka për shkak të pamundësisë së mirëmbajtjes së një vile të tillë, u detyrua ta nxirrte në ankand këtë vilë, që sot e asaj dite qëndron në krye të Durrësit si zonë e ndaluar për të gjithë.
Por ajo që mbetet pikëpyetje e madhe është se përse vila e Zogut duhet të kthehet në një pronë private të mbyllur dhe izoluar? ! Pse kjo vilë që mban në dhomat dhe në oborrin e saj, historinë gati 100 vjeҫare të shtetit shqiptar, duhet që sot të jetë e paprekur për turistët, ku nga ana tjetër gjëja e parë që bëjnë guidat në Durrës, drejtojnë turistët për tek vila mbretërore?
(Shtëpia e Enver Hoxhës)
Pse shtëpia e Enver Hoxhës do te kthehet ne muze , ndërsa vila e Zogut duhet të privatizohej, për të zhdukur në heshtje një pjesë të historisë së Shqipërisë?! /dritare.net

















