Frika që "arratisi" studentët/ Dekani i FSHN: Në 6 programe nuk ka më kandidatë
Dritare.net
“Me shtyrjen e afatit të regjistrimeve në fakultetin tonë vijon plotësimi i kuotave të parealizuara vetëm në 4 programe studimi nga 10 programe që kemi në total. Pasi në 6 programe të tjera, edhe pse kemi shumë kuota të lira, nuk ka më kandidatë, janë ezauruar listat e aplikuesve, pasi regjistrimi u zhvillua në 67 faza”, sqaron dekani Drushku.
Sipas tij, programet e studimit ku nuk ka më kandidatë, janë degët e Kimisë, Matematika dhe Fizika, në total këto programe studimi kanë 126 kuota të lira. “Bëhet fjalë për programet Kimi, Kimi Industrial dhe Mjedisore, Kimi dhe Teknologji Ushqimore, Fizikë, Matematikë, Inxhinieri Matematike dhe Informatike. Në këto programe, listat e kandidatëve aplikues poshtë vijës janë ezauruar që në fazën e fundit pa u shtyrë ende afati nga MAS”, thekson dekani i Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku.
Po ashtu, ky fenomen është hasur edhe në një nga degët më të kërkuara, pikërisht në degën Farmaci, ku do të mbesin 14 kuota të lira, pasi nuk ka më kandidatë që të mund të regjistrohen. Sipas rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, kjo situatë ka ndodhur pasi kandidatët nga frika se mos mbeten pa shkollë janë regjistruar në programet e tjera ku janë shpallur fitues.
Sipas ekspertit të arsimit, Ndriçim Mehmeti, kjo gjë pritej që të ndodhte nga tejzgjatja e regjistrimeve. Dhe më e mira sipas tij do ishte që kandidatëve t’u jepej një tjetër mundësi, duke aplikuar për këto kuota të liria, në mënyrë që ato të mos digjen. Ndriçim Mehmeti “Regjistrimi i maturantëve, i cili vazhdon ende, nxjerr çdo ditë e në pah se ky proces ka dështuar. Procesi kaloi nga një ditë në tjetrën, duke krijuar një kaos dhe çorodi. Fillimisht ministrja Nikolla deklaroi se regjistrimet do të kryhen nga vetë IAL publike e private, më pas ministrja deklaroi se AKP është përgjegjëse për llogaritjen dhe regjistrimin e studentëve. Pak ditë më parë, mësuam se ky proces, ka kaluar tashëm në duart e Rrjetit Akademik Shqiptar”, thekson Mehmeti.
Sipas tij, ky keqmenaxhim i procesit të regjistrimit në IAL publike e private ka sjellë “arratisjen” e maturantëve nga Tirana drejt Durrësit, për të studiuar në programet më të preferuara të tyre. “A mund të na shpjegojë kush sot, sesi është e mundur që UAMD merr më shumë kuota në fushën e studimeve mjekësore, thuajse i plotëson ato, dhe Universiteti i Mjekësisë, që ka një infrastrukturë shumë të kompletuar dhe një traditë më të gjatë ka me dhjetëra vende bosh”, shpjegon Mehmeti./GSh