
Eurovizion/ Dështimet dhe sukseset e Shqipërisë në vite
Dritare.net

Pothuaj të gjithë shtetet e Evropës çdo vit garojnë për këngën më të mirë.
Rrugëtimi i Shqipërisë në Eurovision nis në vitin 2004 ku vendi ynë u anëtarësua për herë të parë në këtë kompeticion.
Dritare.net sjell historikun e Shqipërisë në Eurovision.
Përfaqësuesja e parë e Shqipërisë në këtë festival ishte Anjeza Shahini me këngën “Image of You” në vitin 2004 në Turqi, e cila arriti padyshim sukses duke u radhitur e shtata.
Në vitin 2005 Shqipëria u përfaqësua nga Ledina Çelo me këngën “Tomorrov i go” , dhe falë rregullave të atëhershme, për shkak të rezultatit pozitiv të Anjeza Shahinit, vendi ynë ishte automatikisht në finalen e madhe, por kënga jonë u rendit e 16.
Në vitin 2006 Shqipëria për herë të parë çon në Eurovision këngë me motive folklorike dhe këngëtarin Luis Ejlli i cili interpretoi “Zjarrë e Ftohtë”. Përfaqësuesi i Shqipërisë nuk u prit mirë nga publiku evropian, dhe nuk arritëm të kualifikohemi në finale. Ky vit ishte edhe viti kur Shqipëria këndoi për herë të parë shqip në Eurovision.
Në vitin 2007 Shqipërinë e përfaqësoi Frederik Ndoci me këngën “Hear My Plea”, dhe njëjtë si viti paraardhës nuk u kualifikuam në finale.
Një vit më vonë, në vitin 2008 Shqipëria u përfaqësua në Beograd nga Olta Boka me këngën e kënduar shqip “Zemrën të dy e lamë peng”, këngë kjo që pati suksesin të kaloi në Finale dhe u rendit e 17 në më të mirët e Evropës, shkruan dritare.net.
Në vitin 2009, Shqipëria përfaqësohet nga 17-vjeçarja Kejsi Tola me këngën “Carry me in your dreams”. Edhe këtë vit vendi ynë kaloi në finale, por u rendit e 17 me vetëm 48 pikë.
Juliana Pasha me këngën “It’s all about You” përfaqësoi vendin tonë në 2010. Kënga përsëri kaloi në finale dhe zuri vendin e 16.
Në vitin 2011 Shqipëria përfaqësohet nga Aurela Gaçe me këngën “Feel the passion” . Kënga e cila ndezi skenën evropiane me një vokal të jashtëzakonshëm, zhgënjeu publikun shqiptar kur nuk arriti të kualifikohet në finale, dhe kjo gjë nxiti mjaft debate asaj kohe.
Në vitin 2012, Shqipëria përfaqësohet për herë të parë nga një këngëtare kosovare. Rona Nishliu me këngën “Suus” do të ndezte skenën evropiane, dhe do të arrinte një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur e 5-ta me 146 pike , rezultat ky që Shqipëria nuk e kishte marrë asnjëherë më parë.
Në vitin 2013 një grup Rock-u përfaqësoi Shqipërinë, kënga “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko kishte elemente rock-u me elemente folk-u. Kënga nuk u prit mirë nga publiku evropian, dhe nuk arriti të kalonte në finale, shkruan dritare.net.
Hersi Matmuja me këngën “One Night’s Anger” na përfaqësoi në vitin 2014, por edhe këtë vit nuk arritëm të kalonim gjysmëfinalen, dhe aventura e Shqipërisë u ndërpre që në natën e parë.
“I’m alive” kënduar nga Elhaida Dani padyshim mbetet një ndër këngët më të pëlqyera për publikun shqiptar dhe të huaj. Kënga u këndua në vitin 2015 por edhe pse kaloi në finale u rendit e 17 duke zhgënjyer edhe një herë shqiptarët.
Në vitin 2016 Eneda Tarifa ngjitet në skenën e Eurovisionit me këngën “Fairytale” e cila nuk arriti të kalonte në finale dhe u mendua se gabimi që Shqipëria kishte bere, ishte se kënga u këndua në versionin anglisht gjë e cila, nuk ndezi aspak publikun, shkruan, dritare.net.
Lindita Halimi ishte shpresa më e madhe e publikut Shqiptar në vitin 2017, por nuk bindi evropianët që ta votojnë dhe nuk u kualifikuam as në finale, edhe pse kënga u komentua gjatë për vokalin dhe mënyrën e interpretimit.
Këtë vit, Shqipëria përfaqësohet nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall” i cili ka kaluar tanimë provën e parë të madhe, duke u kualifikuar në finalen e madhe të së shtunës mbrëma.
Kënga është pëlqyer mjaft, dhe Bushpepa ndezi publikun me performancën e tij natën e parë gjysmëfinale./ I.M-Dritare.net

















