
Historia e fisit Berisha nga Puka në Tropojë! Flet ish-ambasadori!
Dritare.net

Ish-ambasadori Mal Berisha në Dekalog, Dritare TV foli për origjinën e fisit Berisha, ku ka lindur dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
“Fisi Berisha jo vetëm për nga rrëfimet, por edhe nga dokumente tregohet se është fisi më i vjetër shqiptar i përmendur që në vitin 1270. Por ka të dhëna që mund të vijë që nga koha e Romës.
Janë gjetur dokumente kur në betejën e Beratit që Skënderbeu u tradhtua nga Moisi Golemi, Skëndërbeut i doli në mbrojtje dy gjeneralët e ushtrisë Nikolla dhe Dhimitër Berisha.
Këtu përmendet për herë të parë fisi Berisha.
Origjina jonë mendohet të jetë nga Puka, nga një fshat që quhet Berishë e Brigjeve, i cili është në breg të lumit Drin. Një pjesë e tyre u larguan në Tropojë. Ne Berishët e Tropojës nuk kemi territor tonin. Ne jemi familje të cilët e njohim njëri-tjetrin për të njëjtën origjinë, por nuk jemi të grupuar në një territor.
Shtëpia ime ishte vetëm 2 km larg nga Sali Berisha”, tregoi ish-ambasadori./M.K-dritare.net
Historia
Si mbiemër, Berisha nis të përmendet dendur prej shekullit të 13, kur përmenden Konti Valentin Berisha (Berissa) nga Ulqini, e më pas vazhdimisht deri në shekullin e 15 shfaqet dendur në dokumenta venedikase, raguziane, serbe, osmane, etj., në një hapësirë që përfshin Shqipërinë veriore, Kosovën, Malin e Zi e deri në Librazhd.
Gjatë qëndresës së Skënderbeut, për shembull, dy vëllezër Berisha ishin ndër udhëheqësit e ushtrive arbërore. Nuk është plotësisht e qartë nëse gjithë personat që dalin në dokumenta historike me mbiemrin Berisha kishin lidhje gjaku. Megjithatë dihet me siguri se në shekullin e 15, Berisha ishte një fis i formuar politikisht dhe në 1467 nënshkruan një marrëveshje me Venedikun, përmes përfaqësuesit Helias Bossi. Gjithashtu është e qartë që anëtarët e sotshëm të fisit, në pjesën dërrmuese janë pasardhës të një trungu mashkullor i cili nis nga trojet e vjetra të Berishës e të Mërturit në Pukë, në territoret e Dukagjinit të vjetër. Kurse një pjesë e familjeve të tjera mesjetare me mbiemrin Berisha mund të jene shuar ose të kenë ndërruar mbiemër me kalimin e kohës.
Zona historike fisnore e Berishës ndodhet në rrethin e Pukës, në jug të Drinit, në perëndim të Fierzës, në veri të Shqipërisë. Qendra është pellgu i lumit Sapaç, që derdhet në Drin. Berisha kufizohet tradicionalisht me Dushmanin dhe Toplanën në perëndim, Bugjonin në veri, Iballën në lindje dhe Kabashin në jug. Vendbanimet kryesore janë Berisha e Vogël, Shopël dhe Berisha e Epërme.
Banorët e saj quhen Berishat./M.K-dritare.net

















