Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Eksperti austriak dhe Jeep-i i tij në zgjedhjet shqiptare

Eksperti austriak dhe Jeep-i i tij në zgjedhjet shqiptare
Nga Luna Ruvina

E mos thuaj po deshe “Paraja shkon te paraja”, i thashë vetes kur një eksperte e BE-së nga Ballkani më tregoi se ç’i kishte ndodhur në Shqipëri një kolegut të vet nga Austria.

“Kishte ardhur këtu gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit”, - më tha. Vinte për herë të parë e do t’i duhej të qëndronte disa ditë për të kontribuar në një fushë që nuk lidhet as me politikën dhe as me zgjedhjet. Kishte ardhur me makinën e tij. Gjatë qëndrimit këtu, diku, në një vend që ekspertja nga Ballkani nuk ma shkoqiste dot, ca djem të rinj në një makinë luksoze e kishin ndaluar në rrugë dhe i kishin thënë “Kjo makinë na duhet ne.”

M’u kujtua Konti i MonteKristos i Dymasë kur i zbrazi karrocën me flori tek këmbët pronarit të vilës së bukur që bleu me thesarin e Spadës.

“Na duhet për zgjedhje”, - i kishin thënë “kontët” shqiptarë ekspertit. Nuk e di sa e kishte shitur, por di që me aq para mund të blinte dy makina të tjera të tilla andej nga kishte ardhur. Nuk di as se kur e ku kishin bërë edhe letrat, por me siguri po t’ia kenë gjetur vegjën edhe pse shumë të zënë me fushatë.

NjwJeep i ri kishte qenë makina e tij dhe natyrisht me targa austriake. Historinë e dëgjoi edhe shoferi që na shoqëronte e që, siç janë shoferët tanë, që shpesh ua kalojnë edhe ekspertëve me ekspertizën e pakursyer që ofrojnë, na tregoi se makinat austriake po u bëkan gjithmonë e më të kërkuara.

“Tani s’ia ke besën njeriu, - tha. Dikur mbahej gjermani si më i sigurti, po aha, tani edhe gjermanët janë futur në lojë. T’i japin letrat sikur ia kanë bërë makinës shërbimet, kur në fakt nuk kanë vënë dorë fare, kurse austriaku jo, deri tani jo, të paktën”.

Po mendoja për makinën time, e cila ka ardhur nga Gjermania. Po bëja me mend ca llogari dhe më dilte që duhet ta kem blerë kur edhe gjermani ishte akoma ‘i besës’./Dritare.net