Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Disa shprehi politike që do ishte mirë të mos i kishim këtë dekadë të re! 

Disa shprehi politike që do ishte mirë të mos i kishim
Nga Dosti Banushi

Në shoqërinë tonë vërehen disa shprehi, që edhe pse në dukje banale, shpalosin cilësitë e qënies sonë politike. Ato janë shqetësuese sepse reflektohen dhe në sjelljen tonë politike, e cila qartazi, nuk po përmbush tërë potencialin që përmban.

Shprehia më e dukshme politike, ironikisht, është dëshira për t’u përjashtuar nga politika. Ky mohim që i bëhet politikës shfaqet kudo, por kulmi u arrit në 2018-ën kur studentët protestonin me thirrjen: “Jo politikë!”. Ngaqë prej vitesh politika kryesisht na ka abuzuar, e konsiderojmë atë të padrejtë, ndërsa veten tonë të drejtë, ndaj tentojmë të përjashtohemi prej saj. E pakuptimtë! Për dy arsye.

E para, sepse njeriu dhe politika janë të pandashëm. Politika është një veprimtari e paramenduar që kërkon të realizojë një qëllim të përcaktuar dhe këtë vetëm njeriu mund ta bëjë. Prandaj, duke përjashtuar ndonjë sjellje që rrjedhon nga instiktet, çdo gjë tjetër është politikë. Duke filluar nga banalitetet e përditshmërisë sonë, sikurse vënia e alarmit për t’u çuar në mëngjes dhe duke vazhduar me më të rëndësishmet, sikurse çmimi i zarzavateve, i naftës, cilësia e ilaçeve, apo siguria në rrugë, çdo gjë është politikë. Kush tenton të përjashtohet nga politika, zgjedh të ngushtësohet thjesht tek aftësitë e kafshës.

E dyta, duhet kuptuar se abuzimi që na është bërë ne, është shkaktuar prej politikës së keqe, e jo prej politikës. Dallimi midis këtyre të dyjave duhet të jetë i qartë:  e para planifikon vetëm për një kohë të shkurtër e tenton të përmbushë vetëm interesa të ngushta, ndërsa e dyta planifikon për më gjatë dhe merr parasysh interesa të gjëra. Duke barazuar politikën me politikën e keqe, rrjedhimisht kemi hequr dorë nga të dyja. Por, nuk është e sinqertë të vetshpallesh ‘apolitik’ në mëngjes, e në darkë të ankohesh sa e shtrenjtë është nafta, sa keq të paguajnë e sa shumë të shfrytëzojnë, e sa pak e shijshme është domatja. Kush nuk merret me politikë, është i dënuar të suprizohet nga ata që merren me të.

Një tjetër shprehi që shpalos bukur qënien tonë politike është shprehja: “Shqipëria nuk bëhet”. Secili ka të drejtë të jetë pesimist, e vërtetë, por askush s’ka të drejtë të jetë i gabuar dhe në pesimizmin e vet. Kushdo që thotë se Shqipëria nuk bëhet, automatikisht e përjashton Shqipërinë nga vetja e vet dhe ia bashkangjit atij tjetrit. Po pse, ka kuptim kjo? Shqipëria nuk është ndonjë entitet i veçuar nga ne shqiptarët. Shqipëria jam dhe unë dhe ti, dhe minatori dhe pronari, dhe i vjedhuri dhe hajduti. “Shqipëria nuk bëhet” është një thirrje e dëshpëruar për t’i thënë vetes që ky vend nuk është i imi, por i atij tjetrit që di ta shfrytëzojë më shumë se unë. Përfundimisht kjo shprehje, mënjanon përgjegjësinë e përditshme që secili nga ne ka, për t’u sjellë korrekt ndaj komunitetit ku jeton. “Shqipëria nuk bëhet” është justifikimi që nxjerrim për të fshehur pavullnetin që kemi për të përmirësuar diçka tek vetja, pa përmirësuar diçka as tek e tëra.

Tjetër karakteristikë e qenies sonë politike është një cinizëm i frikshëm karshi komunitetit. Ky cinizëm dallohet lehtazi kudo, por një shembull banal që dua të sjell është ngarja e makinës. Për sa kohë që rruga ndahet përherë me makina të tjera, ngarja e makinës, sikurse aktivitetet e përhershme që kryhen në komunitet, kërkon përmbushjen e disa kushteve: nënshtrimi ndaj rregullave të pranuara nga çdokush, mirëkuptim dhe respektim i tjetrit. Asnjë nga këto nuk vërehet, dhe për këtë mjafton të shohësh korsitë e makinave kur ka trafik: çdo shofer makine, në tentativë për t’i kursyer kohë vetes, ndërron korsitë sa majtas e sa djathas, e në fund fare, duke u përpjekur secili të kursejë kohë për veten, përfundojnë të gjithë duke vonuar njëri-tjetrin.

Vetëm 2019-ta numëron mbi 2500 të arrestuar dhe 400 mijë shoferë të gjobitur për mosrespektim të rregullave të qarkullimit. Aksidentet në Shqipëri vrasin më shumë se çdo krim tjetër. Ngarja e makinës është një aktivitet kaq i egër këtu, ngaqë ende nuk është përvetësuar parimi bazë i të jetuarit dhe vepruarit në komunitet: Kur janë të gjithë mirë dhe unë jam mirë. Bile tek ne vërehet e kundërta, ligji i xhunglës: Të jem vet mirë, pa në djall të tjerët. Prandaj në shoqërinë tonë mund të vrojtohet rëndomë një karshillëk i gjithësecilit ndaj komunitetit, e kjo dallohet dhe në shembullin që unë zgjodha të marr: xhiro të panevojshme me makina të shtrenjta në Bllok, parakalime të shpejta e të gabuara, rënie e pakontrolluar e burive, mosrespektim i sinjalistikës. Sepse secili dëshiron të tregojë  se nuk bën pjesë e shëmtisë së komunitetit tonë, kur në fakt, është pikërisht kjo dëshirë që shkakton këtë shëmti.

Nëse nuk ndërgjegjësohemi për të zëvendësuar karshillëkun me ndenjën e mirëkuptimit, do vazhdojmë të mbetemi një shoqëri e nënshtruar ndaj inatit dhe urrejtjes.

Duhet të ndahemi nga këto shprehi politike primitive, që na pengojnë të bëhemi ata çka mundemi. Këtë e kemi vet në dorë, pavarësisht a është Rama, Basha apo Saliu kryeministër. Se dhe ata gjejnë, pa bëjnë. Nëse nuk ndryshojmë qenien tonë politike do të vazhdojmë të zgjedhim parti politike pa platforma, kandidadë për kryeministra pa ide e pa vision dhe do të ngelemi i vetmi popull që urren vetveten, kur në fakt, jemi një popull me shumë potencial, që meritojmë shumë më shumë seç i kemi dhënë vetes e seç na kanë dhënë udhëheqësit./dritare.net