
Dhunimi i Biznesmenit/ Policia: U rrah me shkopinj
Dritare.net

Pas deklaratës së Partisë Demokratike se banda të krimit kanë kërcënuar dhe dhunuar biznesmeni Osman Pana, ka reaguar edhe policia e Durrësit, e cila ka zbardhur detaje nga kjo ngjarje.
Zyrtarisht policia thotë se Osman Pana është dhunuar nga 2 persona që janë shpallur në kërkim. Sipas bluve, konflikti ka ndodhur mes fqinjëve për shkak të një ndërtimi në katin e dytë në banesën e biznesmenit.
“Ka pasur vetëm rrahje me shkopinj. Osman Pana është dhunuar nga dy persona, të cilët janë identifikuar e shpallur në kërkim. Konflikti, për shkak të një ndërtimi në katin e dytë. Biznesmeni po hapte dritare në banesën e tij, por kjo gjë nuk u pranua nga fqinji i biznesmenit”, thotë Policia.
Kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në PD, Enekeleid Alibeaj, deklaroi gjatë një prononcimi për media se një bandë e armatosur me kallashnikov dhe me maska ka dhunuar biznesmenin Osman Pana, në orën 6:30 të mëngjesit në mes të Sukthit.

















