Denoncimi për korrupsion, Manastirliu shkarkon brenda 1 ore mjekët e QSUT: Jemi krah qytetarëve
Dritare.net
Reagimi i plote i Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu:
Faleminderit emisionit “Stop” për denoncimin!
Reagimi ynë është: Pezullim dhe shkarkim i menjëhershëm nga detyra për shtetasit me iniciale P. Ç. dhe E.H., punonjës të shërbimit onkologjik në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, dhe ndjekje të çështjes në organet kompetente.
Jemi ne krahun e çdo qytetari që denoncon!
Kushdo që shkel ligjin dhe rregullat, baltos punën e një komuniteti profesionistësh, mjekësh dhe infermierësh si dhe dëmton raportin e besimit mjek-pacient, do të marrë ndëshkimin e merituar.
Askush në sistemin shëndetësor publik nuk duhet të shpërdorojë detyrën dhe besimin e dhënë për t’u shërbyer qytetarëve.
Po investojmë e punojmë çdo ditë për sistemin tonë shëndetësor.
Po investojmë në përmirësimin e kushteve të punës, në rritjen e pagave për personelin mjekësor, në teknologji e pajisje, që të garantojmë për qytetarët e pacientët kujdes shëndetësor cilësor.
Raste si ky jo vetëm turpërojnë armatën e mjekëve dhe infermierëve të nderuar, që punojnë e sakrifikojnë ditë e natë per t’u kujdesur për ju, por dhe pengojnë përmirësimin e sistemit!
Ndaj, asnjë hezitim për të denoncuar!
Denoncimi
Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” tregon, sesi blihet shërbimi shëndetësor me para në dorë në QSUT. Një e re paraqitet në pavionin onkologjik, për një të afërm, që duhet të bëjë rreze. Në recepsion e drejtojnë tek infermieri Pali Cuni, ndërsa ky i fundit, e dërgon me rekomandim te doktor Enes Hafizi. Vajza, i thotë mjekut, se një i afërm i saj, që aktualisht është në Zvicër, ka nevojë të bëjë rreze. Fillimisht mjeku i shpjegon, se duhen dokumentet e epikrizës dhe për këtë cështje, ka radhë minimalisht një muaj. Por pasi vajza i premton para, çështja e radhës nuk është më një pengesë. Pas disa takimeve, vajza i jep mjekut 1000 euro dhe merr premtimin, se problemi i rrezeve të pacientit, është i zgjidhur./ E. K.-Dritare.net