

Në Maqedoninë Veriore, shqiptarët qëndrojnë akoma më keq, kurse në Shqipëri nuk dallojnë shumë nga shqiptarët e Kosovës.
Dihet që dasma e shqiptarit (nga Kosova) historikisht ka pasur një rol të veçantë, si në aspektin sociologjik, ashtu edhe në atë kulturor. Përveçse ka bashkuar dy veta përfundimisht në një çift bashkëshortor, që ishte qëllimi kryesor i saj, dasma ka qenë për të rinjtë e tjerë po ashtu një rast i mirë për t'u njohur mes veti, si nëpërmjet lojërave tradicionale, ashtu edhe përmes vallëzimit dhe aktiviteteve tjera.
Vajzat dhe djemtë e kanë pasur vallen si "gjimnastikën" dhe "marketingun" pothuajse të vetëm personal. Aty edhe kanë zënë fillin dashuri të reja....
Si duket dasma sot?
Që në fillim më duhet të them se dasma shqiptare (në Kosovë) ka degraduar në masë të konsiderueshme, për keqardhje.
Tradicionalja është lënë anash në emër të "kreativitetit", kinse modern. Muzikë të huaj, muzikë të melosit rom, që po quhet "tallava" etj. Me zhurmë 3-5 herë më të fuqishme se ajo që konsiderohet maksimalisht e lejueshme, për ambiente të mbyllura, nga ekspertët e ORL-së. Si rrjedhojë kemi jo rrallë dëmtime të timpanit të veshit apo edhe shfaqjet e Tinnitus-it të pashërueshëm....
Kjo disi të bën të pyesësh, në gjendesh fare në një dasmë shqiptare apo ku?! Ose, shkon në dasmë për qejf, apo për t'u shurdhuar?!
Kjo, shikuar nga këndi tradicional, kombëtar e shëndetësor.
Po nga këndi material?
Ka ardhur koha, kur një familje normale, mesatare, ta konsiderojë sukses martesën e të gjithë fëmijëve, pasi që thuajse krejt fitimi jetësor investohet aty. Harxhime marramendëse nëpër restorante luksoze. Këngëtarë të shtrenjtë, të papërballueshëm të shumave mbi 7000 Euro. Dasma i përmbledh harxhimet me dhjetëra mijëra euro, në mos afër njëqindmijëshit, duke e pasur parasysh udhëtimin në "Muajin e Mjaltit"...
Pra paratë, që do të mund të investoheshin në ndonjë biznes të vogël, shkojnë për dasmat.
E thuhet "nuk ka punë".
Natyrisht që NUK KA PUNË.
Si të gjejë apo krijojë punë ky çift i martuar?! Duke i ngelur gjithë ato borxhe të dasmës?! Apo duke e harxhuar gjithë atë shumë të hollash?!
Kështu NUK MUND TË VAZHDOHET MË TUTJE...
Këtu do të cekë edhe kalimthi fenomenin e gjuajtjeve me armë nëpër dasma dhe plagosja apo vrasja e rastësishme e ndokujt, që na ka ndodhur shpesh.
Kjo është një temë e veçantë, por do të them veç shkurt, që ky fenomen duhet ndaluar gjithsesi përmes një kreativiteti intelektual (më gjerësisht për këtë, një herë tjetër).
Në fund ca pyetje jo të këndshme për të rinjtë:
Aq shumë po gëzohesh ti djalë i ri që po martohesh?! E çfarë aftësie po të duket kjo? A thua paske besuar që ti kurrë grua nuk do të mund të gjesh, që po dalldisesh me këso harxhime dasmore, deri në nivel çmendurie?! A thua po të duket që vetëm ti e arrite këtë "aftësi të jashtëzakonshme" për t'u martuar? E përse në lidhje me këtë nuk e bën një patentë shkencore? Shpikje e madhe kjo apo jo?!
Kurse ti zonjushë, a po martohesh nga dashuria për burrin, apo për muzikën, restorantin dhe paratë e tij? A po martohesh ti me një shërbëtor, që do të të ruajë, apo me një partner me të cilin bashkë do të punosh e jetosh?! Nëse ke ngritje kulturore dhe mendon se nuk është burri shërbëtor atëherë përse e harxhon deri në asht dhe ia humb atij dhe vetes mundësinë e përparimit?!
Ju të dy, me ç'mendje niseni me borxhe në bashkëjetesë?! Ju nuk paskeni prind, ju paskeni shkatërrues të jetës suaj. Çfarë prindi është ai që të harxhon skajshmërisht, për diçka që është krejt natyrore?!
Pyetjet s'kanë fund.../dritare.net

















