Dalina tregon momentet e vështira pas lindjes së dytë: S’mund të jesh nënë dhe grua perfekte, është një gënjeshtër e madhe
Dritare.net
Letra e saj si më poshtë, një këshillë për gjithë nënat e reja!
"Dua t'ju rrëfej një histori që s'e kam rrëfyer më parë publikisht, por frymëzuar nga ai shënim i Meghan Markle, po e ndaj 9 vjet më vonë. Unë hyj tek ajo kategori grash që nuk ankohen për punë dhe meqënëse gjithmonë kam bërë më shumë nga ç'më është deleguar, njerëzit kanë menduar se unë mbaj. Kam qenë shtatzënë me Helenën, vajzën e dytë, kur më ofruan të punoja tek Top Channel. Disa gjëra i gjeta gati, si stafin dhe të tjera m'i sillën "dhuratë" si prezantuesen, me të cilën lodhesha dyfish për shkak të mungesës së saj të eksperiencës.
Edhe pse e rënduar fizikisht, them se bëmë një Pasdite e cila u përfol, patëm shumë programe që u diskutuan gjatë atëherë dhe shikueshmëria (të paktën sipas eprorëve të mi) pati rritje. 20 ditë pas lindjes, me qumështin që më kullonte në bluzë unë kthehem në punë sepse televizioni nuk të pret dhe dy muaj më vonë, më heqin nga puna me urdhër të pronares për arsye që akoma nuk i kuptoj, por që i fala sepse të jem e sinqertë, nuk i mora në konsideratë. Nuk fola, nuk shava, nuk bëra asnjë hakmarrja dhe askush nuk ndjeu tek Anabel.al ndonjë inat me Top Channel. Përkundrazi, mediat shkruanin herë pas here se na paguante Top-i për shkrime prej tyre. Budalliqe!
Historia është që kur unë iki nga puna(natyrisht heqja nuk është e bukur edhe kur je me të drejtën e Zotit), vendosa të rrija vetëm në shtëpi. Të jem e sinqertë, kanë qenë disa nga javët më të bukura sepse shijoja fëmijët. Pa punë fare nuk isha, sepse revista Anabel vazhdonte në treg dhe më duhej të punoja për të, por kisha kohë të lirë të zbavitesha me gocat, madje mësova shumë receta ëmbëlsirash që tani i kam harruar. Kjo gjë, nuk zgjati shumë sepse Ardit Gjebrea "më kapi" as dy muaj pasi kisha ikur dhe nisa sërish punën. Unë nisa nga e para me po të njëjtën energji sepse ishte sprovë e re me ngarkesë shumë të madhe. Për njerëzit në punë, unë nuk kisha fëmijë sepse ja kisha shtyrë vetë vetes të mos justifikohej me faktin "kam kalamaj", por të punonte ndoshta dhe dyfishin e atyre që ishin single dhe me kohë më të lirë.
E gjithë kjo sfidë, për t'i bërë të gjitha shumë mirë, më kaloi pa e kuptuar në një lloj manie. Doja të shkëlqeja në punë, të shkëlqeja si mama, të shkëlqeja si femër (humba gjithë kilogramët e shtatzënisë), derisa një ditë përfundova tek zyra e psikologut.
Kuptova që duke dashur të mos justifikoj asgjë, unë po përpiqesha tamam t'i justifikohesha të tjerëve që jam një super hero i pamposhtur. Një tjetër budallallëk! Natyrisht, që unë kurrë nuk hoqa dorë nga punët dhe vazhdoj të kem ende netë të gjata në zyrë, por jam shumë menefregiste në lidhje me atë çfarë unë jam për të tjerët. Nuk e vras më! Mendoj që presioni tek gratë është shumë i madh, por gjithashtu mendoj që gra si unë, që e duan shumë edhe karrierën, duan të ruajnë emrin e tyre, etj, shpesh i shtojmë presione të panevojshme vetes dhe të pashëndetshme njëkohësisht.
Kuptova që ka kohë për punë, siç duhet të ketë kohë për fëmijët dhe duhet të dëgjosh trupin, e gjithashtu të mos kesh turp të thuash "Po dua të jem edhe nënë!. Po, unë kam hormone! Po, unë duhet të rrijë në shtëpi e të mos dal në punë 20 ditë pas lindjes sepse as mitra s'ka shkuar në vend!"
Nuk na nxiton asgjë, sidomos ne gratë që punojmë dhe punojmë mirë, gjithmonë do t'i hapim vend vetes. Puna është që të mos fiksohemi me balancat familje-karrierë, e të dukurit perfekt, sepse e dimë të gjithë që është një gënjeshtër e madhe!"/dritare.net