Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dalina Buzi flet për prapaskenat e ‘Hostel by Anabel’ dhe jo vetëm

Dalina Buzi flet për prapaskenat e ‘Hostel by Anabel’ dhe jo
Në një intervistë për “Thumb” në ABC News, krijuesja dhe producentja ekzekutive e “Hostel by Anabel” Dalina Buzi, tregoi disa detaje në lidhje me marrëdhëniet me xhirimet, aktorët, prapaskenat dhe jo vetëm.

Ndonëse formula e sezonit të parë të “Hostel by Anabel” rezultoi e suksesshme duke kapur dhe përpunuar ç’mungonte për të lindurit e viteve ’90 – 2000, sezoni i dytë erdhi si një investim i madh në krijimtari dhe prodhim, pas zëvendësimit të rubrikës “E ke parasysh kur...” me web-series të parë në Shqipëri, #Love #Likes #Tirana. Pikërisht në “Thumb”, Dalina tregon disa detaje si lindi gjithë ideja e projektit të ri.

Ajo thekson se për të shkruar serialin është bazuar tek ajo shtresë e shoqërisë që rrallë përfaqësohet, duke e trajtuar subjektin në një stil amerikan që shquhet për ritmin, i cili gjithnjë e më tepër është referencë për kinematografinë në të gjithë botën.

Nisur nga përmbajtja dhe cilësia, #LLT është lehtësisht i kualifikuashëm për platformën Netflix, megjithatë duket se si producente Dalina “dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë”.

“Ky lloj seriali nuk i intereson shumë Netflix-it, sepse është shumë lokal. Pra, duhet të gjesh diçka që nuk është kaq lokale. Unë serialin e kam bërë për Shqipërinë dhe Kosovën.”

"#Loves #Likes #Tirana trajton të përditshmen e Tiranës, një Tirane që shumë pak portretizohet në prodhime kinematografike/televizive, por është Tirana që unë njoh, gocat e Anabel njohin dhe të gjithë aktorët pjesëmarrës. Është Tirana e dashurive, ndarjeve, problemeve në familje, në karrierë, Tirana (edhe) e një mentaliteti modern. Tirana ku njerëzit kërkojnë veten dhe njëri- tjetrin. Por më e rëndësishmja, është një Tiranë ku jetohet dhe shpresohet dhe nuk ka zgjidhje të shkurtra si “largimi” për të gjithë.” – u shpreh ajo në një intervistë për Anabel pak kohë më parë.

Siç mund ta keni lexuar, përveç Egla Cenos, Ina Gjonçit, Eni Shehut dhe Alex Seitaj, pjesa tjetër e aktorëve janë amatorë. Megjithatë ky fakt duket se nuk ka ndikuar aspak negativisht.

“Seriali është krijuar me ata në mendje; pra roli është përshtatur. Kur Zoi u nda dhe piu, njerëzit qanë. Kjo është e rëndësishme për mua [...] Janë mësuar me kameran dhe rolin e kam përshtatur. Tek Zoi kisha dyshimet e mia, jo sepse nuk do ishte Megi Pojani, por e bëra prezantuese nisur nga portreti i Megit.”

Por sigurisht që si amatorë kanë “probleme”, ndodh që të mos përqëndrohen siç duhet ose të mos futen shpejt në rol. Megjithatë kanë natyralitet, i cili ka qenë tipari kryesor ku është bazuar Dalina Buzi për të përzgjedhur edhe aktorët profesionistë.

“Egla Ceno ka qenë me Elvis Pupën në çiftet e famshëm, ku ka qenë shumë natyrale. Ina Gjonçi është një ndër aktoret më të mira të brezit modern. Eni Shehu po ashtu është një super aktor kinemaje.”

(Shën.red. Në programin “M’fal për shprehjen” në T-HD në DigitAlb, Egla Ceno dhe Elvis Pupa realizonin skeçe në rubrikën “Burri & Gruaja).

Sigurisht nuk mund të mos mungonte pyetja: Të këqijat e kastit!

“Ai staf është fantastik. Ndodh që ka zënka, por janë zënka pune. Unë bërtas gjithë kohën. E gjuajta Dean që të qëndronte drejt, Albertës i bërtas. Megi vonohet etj.”

A është Megi Pojani e preferuara e Dalinës?

“Jo, nuk e kam të preferuar. Megi ka dhënë vetë. Edhe gocat e dinë sa jep Megi. Megjithatë nuk kanë konkurrencë me njëra-tjetrën, nuk ka sherre.”

Personazhet e preferuar në serial?

“Janë personazhet e çunave, Klajdi dhe Elio, të cilët i kam ndërtuar ashtu siç dua vetë.”

Dalina e nisi karrierën fillimisht si gazetare për të eksperimentuar gjatë kohës edhe me televizionin, përfshirë këtu programet dhe spektaklet, herë si skenariste e herë si bashkë-prezantuese. “E ke thënë që ëndrra jote është regjia, do të ndalesh këtu apo do të eksperimentosh ende?”, e pyet Aulona.

“E kam thënë edhe më parë që pikat lidhen. Asgjë nuk është e rastësishme; dmth gazetaria, Facebook-u më mësoi me historitë e Shqipërisë sepse unë jetoja jashtë, televizioni më mësoi me ritmin. Absolutisht që çdo gjë ka ardhur në kohën e vet dhe unë e kam thënë gjithmonë që ka dy lloj suksesesh në jetë: ai kur je 20 vjeç dhe ai kur je 40 e ca, 50. Unë e kam ndjer gjithmonë që suksesin e kam më vonë.”/Anabel.al