
Dalin përgjimet e zv/drejtorit të burgjeve Iljaz Labi, merrte lekë për tenderat
Dritare.net

Duket se ishte përcaktuar edhe një radhë që ndiqej për të shpallur kompanitë fituese njëra pas tjetrës. Për çdo tender të kryer, prokuroria thotë se zëvendësdrejtori i burgjeve Iljaz Labi merrte 2 milionë lekë të reja. Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të mjaftueshme për të dënuar Iljaz Labin për korrupsion pasiv. Pjesë e provave janë edhe përgjimet telefonike e ambientale. Në një nga përgjimet, Labi komunikon me njërin nga biznesmenët, Shemsi Sinanin që administron kompaninë “M.B. Kurti” dhe që do të furnizonte me ushqim një nga burgjet, ndonëse nuk ishte shpallur fitues i tenderit.
“Po nuk erdhe sot, mos hajde fare. Nuk të dua fare, po s’erdhe sot”, i thotë Labi atij në telefon. Veç Iljaz Labit prokuroria arrestoi edhe Shemsi Sinanin, Elidjan Laskajn – administrator i shoqërisë “Dogel”, Ylber Kalajën – administrator i shoqërisë “Vllaznia” dhe Nexhmi Balla – administrator i shoqërisë “Nelsa”.

















