
Çelja e universiteteve, pranohet gabimi me sistemin
Dritare.net

“Kanë mbetur afërsisht 500 vende të tjera, i kërkoj ndjesë që jemi pjesë e kësaj situate, sidomos ne Universitetet. Deri tani peshën e ka mbajtur Ministria, në fakt Universitetet në këtë situatë të stërzgjatur katër mujore për një proces që mund të mbyllej për dy javë maksimumi, përgjegjësinë që na jep ligji. Me nënfazën e dytë, në Fakultetin e Ekonomisë mbetën 600 kuota të lira, më datë 19 u regjistruan rreth 100 kandidatë, pritet të regjistrohen edhe të tjerë ditën në vijim, por sërish kemi 500 kuota bosh. Dhe me zgjatjen e procesit të regjistrimeve, ka ndodhur një fenomen, që neve na kanë ikur një kategori e maturantëve të mirë. Shumë maturantë e kanë bërë zgjedhjen e tyre të nxituar, nën presionin dhe frikën se ndoshta nuk do fitonin program tjetër. Po ajo që po ndodh është se, me zbritjen e vijës së kuqe po ulet edhe niveli i maturantëve”, sqaroi dekani Kule.
Regjistrimet
Zgjatja e procedurave të regjistrimeve në disa universitete ka sjellë pakënaqësi te drejtuesit e universiteteve, pasi ka ulur cilësinë e studentëve që do regjistrohen në vitin e parë. Sipas Kules, për fakultetin që ai drejton kjo metodë sfilitës ka shkaktuar një dëm, sa i përket cilësisë së maturantëve që po regjistrohen me spostimin e vijës së kuqe. “Fakti i pritjes për një kohë të gjatë dhe i ankthit i ka bërë shumë maturantë që të regjistrohen në të parin program ku shpallen fitues, pasi kanë frikë se mos mbeten pa shkollë. Por, pikërisht kjo ka bërë që aktualisht te Ekonomiku të vijojmë të kemi 500 kuota të paplotësuara, ndërsa maturantët që po regjistrohen janë me mesatare të ulët, dhe do vijë duke u ulur në ditët në vijim. Ndaj në vitin që vjen ne do ndryshojmë procedurat.
Nuk ka përse regjistrimet në universitet të bëhen në të njëjtën kohë. Fakulteti i Ekonomisë është një ndër fakultetet më të kërkuara, ndaj edhe studentët që duhet të pranohen duhet të jenë të mire”, është shprehur dekani, ndërsa ka bërë llogaritë që vitin e ardhshëm kjo situatë të mos përsëritet. “Vitin tjetër do i përcaktojmë më vete procedurat e regjistrimit, dhe kam bindjen se do i mbyllim që në muajin korrik. Nuk kemi përse të bëjmë regjistrime në shtator-tetor. Personalisht besoj se ne duhet të ndjekim modelin europian. Maturantët nuk kanë përse të trokasin në ministri, por duhet t’i drejtohen universitetit”. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, dita e fundit e regjistrimit në universitete do të jetë data 27 tetor, dhe nëse do të vazhdojë ky ritëm për regjistrimet, me shumë gjasë udhëzimi do të korrigjohet edhe njëherë për të shtyrë afatet.
Kuotat bosh, kaosi dhe rezistenca
Lëvizja për Universitetin përmes një deklarate, ka thënë se në nisje të vitit të ri akademik janë ende mijëra kuota bosh në universitete ndërkohë që shkak për këtë është bërë reforma në arsimin e lartë. Sipas kësaj lëvizje, udhëzimi numër 13 i Ministrisë së Arsimit të Sportit ka krijuar kaos në universitete ku ende nuk dihet se sa studentë janë regjistruar në universitetet private. Sa i përket shtyrjes së afatit të regjistrimeve deri më 27, kjo lëvizje thotë se është shenjë e qartë e dështimit. Lëvizja për Universitetin i ka bërë thirrje studentëve që të bashkohen për një universitet me dyer të hapura sipas meritës. “Mijëra kuota në Universitete, bosh. Udhëzimi nr 13 është shkaku i kaosit të krijuar. Ende nuk dihet sa studentë janë regjistruar në universitetet private. Shtyrja e fatit të regjistrimeve deri më 27, shfaqje e qartë e dështimit të qeverisë. Thirrje studentëve që të bashkohen në nismën tonë për një universitet të rime dyer të hapura sipas meritës” shkruhet në deklaratë, ndërkohë që në fund të saj bëhet edhe një apel për të rinjtë. “U bëjmë thirrje të gjithë studentëve, sidomos atyre që ende po torturohen në kalvarin e regjistrimeve që të bashkohen në rezistencë dhe në çlirimin e hapësirës për ndërtimin e një universiteti publik të ri, ku dyert të jenë të hapura sipas meritës”, përfundon deklarata.
27 tetori është data e fundit e spostuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për t’u dhënë mundësi maturantëve që kalojnë mbi vijën e kuqe, për t’u regjistruar në degët përkatëse.
Ankthi i tejzgjatur
“Kam zgjedhur një Universitet jo publik sepse unë nuk mora as në raundin e parë dhe as në raundin e dytë shkollë në një Universitet shtetëror dhe pse zotëroja një mesatare shumë të mirë. Deri në momentin që unë sot kam ardhur në shkollë, jo vetëm unë por çdo student, shok dhe shoqe e imja ka qenë në një situatë ankthi dhe frike”, shprehet një prej mijëra studentëve.
Vende të lira
Universiteti i Tiranës
Fakulteti Ekonomik 500 kuota të lira
Fakulteti Histori-Filologjisë 317 kuota të lira
Fakulteti i Shkencave të Natyrës 973 kuota të lira
Fakulteti i Drejtësisë 168 kuota të lira
Universiteti i Mjekësisë
Mjekësi e Përgjithshme – 7 kuota të lira
Farmaci – 61
Stomatologji – 41 kuota të lira
Infermieri e Përgjithshme – 85 kuota të lira
Mami – 25
Fizioterapi – 37 kuota të lira
Dokumentet e regjistrimit
Sekretaritë mësimore të IAL-ve do të pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët që do të regjistrohen. Fituesit duhet të dorëzojnë:
a) Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë).
b) Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave.
c) Deklaratë, e cila plotësohet nga kandidati në prani të punonjësit të sekretarisë mësimore të IAL-së.
d) Dy fotografi personale/Neritan Gjergo/shekulli.al

















