Vuçiç pas arrestimit të Maduros: Rendi botëror ka rënë, Serbia kërcënohet nga Prishtina, Tirana e Zagrebi
Dritare.net

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se “rendi botëror ka rënë” dhe se e drejta ndërkombëtare nuk funksionon më, pas një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua edhe për operacionin amerikan në Venezuelë. Sipas Vuçiçit, kjo ndërhyrje dëshmon se Karta e Kombeve të Bashkuara zbatohet vetëm në letër dhe se në botë sot sundon ligji i forcës dhe i më të fortit.
“Pas asaj që ndodhi në Venezuelë, është plotësisht e qartë se rendi publik ndërkombëtar nuk ekziston më. Nuk ka parime – vetëm interes dhe forcë,” tha presidenti serb.
Vuçiç shprehu shqetësim të veçantë për, siç u shpreh ai, armatimin e mëtejshëm të Kosovës, duke e cilësuar në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244. Ai paralajmëroi se një kërcënim serioz për sigurinë e Serbisë është edhe bashkëpunimi i sapokrijuar mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, për të cilin tha se po zhvillon kapacitete ushtarake gjithnjë e më komplekse.
Presidenti serb njoftoi se Serbia planifikon një forcim të ndjeshëm të kapaciteteve ushtarake gjatë një viti e gjysmë të ardhshëm, duke theksuar se ato do të dyfishohen jo në numër, por në fuqi zjarri dhe teknologji. Sipas tij, një pjesë e armatimit do të prodhohet brenda vendit, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet jashtë Serbisë.
Duke iu referuar zhvillimeve globale, Vuçiç theksoi se Serbia nuk mund të presë ndihmë nga askush në rast krize dhe se pas ngjarjeve në Venezuelë është bërë e qartë se çdo vend duhet të mbështetet vetëm te vetja. Ai shtoi se Serbia nuk ka synime agresive, por po përgatitet për çdo kërcënim të mundshëm.
Në fjalën e tij, Vuçiç foli edhe për sigurinë energjetike dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se synojnë dominim global në sektorin e energjisë. Ai pranoi se Serbia po përballet me presion dhe sanksione të mundshme ndaj kompanisë NIS dhe kompanisë kineze Linglong, por u shpreh se vendi do t’i përballojë këto sfida dhe do të vazhdojë zhvillimin ekonomik.
Në përfundim, presidenti serb deklaroi se prioriteti kryesor i Serbisë mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit.
“Ne e ruajmë paqen duke qenë të fortë. Forca jonë është parandalimi ynë,” përfundoi Vuçiç./K.C/dritare.net