Na ndiqni edhe në

Bota

Putin flet për paqe diplomatike me Evropën, por kërkon…

Putin flet për paqe diplomatike me Evropën, por kërkon…

Rusia është e gatshme të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me vendet evropiane në nivelet që ekzistonin para luftës, deklaroi të enjten presidenti rus Vladimir Putin, ndërsa lidhjet mes palëve mbeten në nivelin më të ulët historik pas pushtimit të plotë të Ukrainës.

Duke folur gjatë një ceremonie në Kremlin për ambasadorët e rinj të huaj, Putin tha se kontaktet zyrtare dhe ato biznesore mes Rusisë dhe vendeve evropiane janë zvogëluar ndjeshëm, ndërsa angazhimi për çështjet kyçe të politikës së jashtme është “i ngrirë”.

“Do të donim të besonim se, me kalimin e kohës, situata do të ndryshojë dhe shtetet tona do të kthehen në një dialog normal dhe konstruktiv,” tha Putin, duke theksuar se parakushtet për këtë janë “respektimi i interesave kombëtare dhe marrja parasysh e shqetësimeve legjitime të sigurisë”.

“Rusia ka qenë dhe mbetet e përkushtuar ndaj këtyre parimeve dhe është e gatshme të rivendosë nivelin e marrëdhënieve që i nevojitet,” shtoi ai. Sipas Putinit, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Evropës kanë “rrënjë të thella historike”, me shembuj të shumtë bashkëpunimi të dobishëm dhe shkëmbimi kulturor.

Deklaratat e Putinit vijnë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se “ka ardhur koha” që Bashkimi Evropian të rifillojë dialogun e nivelit të lartë me Rusinë. Edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar muajin e kaluar se Evropa duhet të krijojë një “kornizë” për angazhim të drejtpërdrejtë me Kremlinin në javët në vijim.

Megjithatë, zyrtarët evropianë mbeten skeptikë. Të hënën, zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, tha se nuk ka shenja se Putin është realisht i gatshëm për dialog. Udhëheqësit evropianë më herët kanë kundërshtuar thirrjet për bisedime të drejtpërdrejta, duke përmendur mungesën e interesit të Rusisë për negociata të sinqerta paqeje.

Sidoqoftë, në Bruksel po rritet shqetësimi se Evropa po mbetet jashtë tryezës së negociatave për paqen në Ukrainë, të cilat deri tani janë dominuar nga Kremlini dhe administrata e presidentit amerikan Donald Trump./K.C/dritare.net