
Lufta në Ukrainë/ Zelensky denoncon përfshirjen e Kinës
Dritare.net
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zbuloi sot se forcat ukrainase ishin përfshirë në një betejë me gjashtë ushtarë kinezë në rajonin e Donetskut. Dy prej tyre u arrestuan. Një pretendim shumë serioz ky, i cili nëse konfirmohet, mund të përshkallëzojë tensionet ndërkombëtare.
Zelensky i bëri këto deklarata në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin belg Bart de Wever, duke theksuar nevojën për mobilizim të menjëhershëm ndërkombëtar dhe një rivlerësim të situatës nga partnerët perëndimorë të Ukrainës.
"Betejat u regjistruan në rajonin e Donetskut, në dy zona. Ushtarët ukrainas u përleshën me gjashtë ushtarë kinezë dhe kapën dy prej tyre. Kemi pasaporta, dokumente, madje edhe karta krediti në duart tona. Ata janë shtetas kinezë. Mendoj se ky është një element me rëndësi të madhe", tha presidenti ukrainas.
Zelensky theksoi se përfshirja e dukshme e Kinës në luftë në favor të Rusisë, krahas vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani, përbën një fakt të ri gjeopolitik, i cili duhet t'i shtyjë aleatët e Ukrainës të rishqyrtojnë qëndrimin dhe mbështetjen e tyre.
"Koreano-veriorët po na luftonin në Kursk. Tani, kinezët po luftojnë në tokën ukrainase. Dhe kjo është diçka që duhet diskutuar urgjentisht me partnerët tanë. Ne jemi një vend i fortë, por nuk mund të luftojmë me shumë vende në të njëjtën kohë, të gjitha me objektiva në Ukrainë.", theksoi ai.
Presidenti ukrainas shprehu shpresën se ky zhvillim do të çojë në përfshirjen më aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedimet me Kievin, ndërsa kërkoi një përgjigje zyrtare nga Pekini.
“Kam udhëzuar ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes që të kontaktojnë homologët e tyre kinezë, duke kërkuar një shpjegim zyrtar për këto veprime.”, tha Zelensky.
Kjo ngjarje e fundit mund të riformësojë peizazhin diplomatik të luftës në Ukrainë, me përfshirjen ushtarake të Kinës, një vijë të kuqe për shumë kryeqytete perëndimore./K.C/dritare.net

















