Debati për letrën e Reinier de Graaf, Rama: Është satirë dhe autoironi
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit për librin “The Albanian Files”, duke thënë se letra e arkitektit Reinier de Graaf, ku i sugjerohet me ironi të bëhet “mbret”, është keqinterpretuar. Sipas Ramës, bëhet fjalë për një tekst satirik dhe jo për një mesazh politik, ndërsa theksoi se botimi është i pavarur dhe pa asnjë ndërhyrje apo censurë.
“Ky libër quhet “The Albanian Files”. Është një ndër botimet më të rëndësishme që kanë dalë në vitet e fundit në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban në Europë dhe në botë.
Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë dhe shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me një reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat i lidh së bashku, në gjithë faqet e librit, Shqipëria.
Tani nuk dua të flas për librin, por dua të flas për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin, një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është pikërisht dega inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza natyrisht, por jo sepse nuk përndjek, por sepse përndjek në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i ka ndodhur dhe që i janë qasur Shqipërisë këtyre 30 viteve, po edhe historisë së Shqipërisë.
Njerëz të cilët, thashë, e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe që janë mbledhur, pavarësisht nga njëri-tjetri, në Shqipëri, siç u mblodhën dikur në Neë York, në vitet ’30, duke dhënë kontribute, të cilat, ndër të tjera, do të bëjnë që ky vend dhe vajzat dhe djemtë e këtij vendi, arkitektë, arkitekte, urbanistë, urbaniste, nesër të nxjerrin nga gjiri i tyre ndonjë emër apo më shumë se një emër shqiptari apo shqiptareje që do të shkëlqejë në skenën e botës.
Sepse, ndërkohë, këtu në Shqipëri, në kryeqytet dhe jo vetëm, ne kemi universitetin më të madh dhe më prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban, ku të gjithë profesionistët e rinj shqiptarë janë të atashuar pranë këtyre studiove dhe punojnë së bashku, mësojnë prej tyre dhe zhvillojnë talentin, dijen; rrisin, pa diskutim, ekspertizën e tyre, falë këtij bashkëpunimi.
Tani, “The Albanian Files” është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni, se s’mund ta quaj dot intelektual, se nuk është intelektual, por nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje.
Unë thjesht kam dhënë aty një kontribut me një tekst parathënës, një tekst parathënës që është, patjetër, krenari që unë, si Kryeministër i Shqipërisë, të isha i ftuar ta shkruaja dhe që, së bashku me gjithë këtë “armatë” arkitektësh dhe profesionistësh të jashtëzakonshëm, të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës, ndër të tjera; të cilët thirren për të bërë konferenca mbi arkitekturën për të rejat, për të rinjtë, për të interesuarit dhe paguhen sa qimet e kokës nëpër vende të tjera, ka ardhur si një projekt editorial tërësisht i pavarur.
Është konceptuar, është kuruar nga Anneke Abhelakh dhe, siç thashë, janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit. Është diçka fenomenale.
Patjetër që ka gjëra të diskutueshme, patjetër që ka gjëra të debatueshme, të kritikueshme, çfarë të doni, por që t’i qepesh një botimi të tillë, njësoj si të ishte koha e Revolucionit Kulturor Kinez dhe, mbi të gjitha, pastaj të kapesh me një tekst, i cili është një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson njërën prej studiove më të mëdha në historinë e arkitekturës bashkëkohore, studion “OMA”, të themeluar dhe të udhëhequr nga legjendari Rem Koolhaas, ky është kulmi.
E para, që ky tekst i vënë aty, i cili në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, e cila natyrisht është një letër që mua s’më ka ardhur, se s’kishte as pse të më vinte, është shënim në dosjen e arkitektit, ku më thotë: “Pse duhet të bëhen dhe zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretëritë për arkitekturën…” e të tjerë, e të tjerë.
Çështje dilemash dhe problematikash që s’kanë lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, por tregon që, në fakt, libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar.
Të gjithë autorët, pra të gjithë pjesëmarrësit, kanë pasur pavarësi të plotë në dosjen e tyre. Kanë zgjedhur vetë projektet, kanë vënë vetë tekstet, kanë caktuar reflektimet dhe materialet që kanë dashur të publikojnë. Dhe është një parim që shprehet qartë që në hyrje të librit, ku editorja e thotë se autonomia e autorëve është ruajtur qëllimisht gjatë gjithë procesit editorial dhe përfshirja e letrës së hapur të Reinier de Graaf është një dëshmi e kësaj autonomie.
Letra është pjesë e dosjes personale të autorit; edhe vetë “files”, dosjet, është një referencë ironike e një Shqipërie që vjen nga një kohë dosjesh, ndërkohë që këtu dosjet janë të tëra të hapura për publikun.
Ai e ka vendosur aty, s’ka as redaktim, s’ka as censurë dhe, po të ishte një botim propagandistik apo i kontrolluar politikisht, ky tekst nuk do të mbetej aty, mbase.", thotë Rama./K.C/dritare.net
Unë as nuk e kam parë dhe as nuk më ka ardhur, as më ka shkuar mendja ta kërkoj, ta shoh përpara librin, sesa të botohej.
Dhe çfarë na thotë në të vërtetë letra e Reinier de Graaf është se, së pari, duhet njohur autori. Ai nuk është vetëm një arkitekt i njohur ndërkombëtarisht. Është autor librash dhe esesh mbi marrëdhëniet mes arkitekturës, pushtetit, kapitalit dhe politikës.
Ka një stil botërisht të njohur ironik, satirik, paradoksal, hiperbolik, mjete që ai i përdor në punën e tij, por nuk janë deklarata politike lineare dhe ai shkruan po kështu, në të njëjtën mënyrë, për Londrën, Dubain, Rusinë, Bashkimin Sovjetik, Bashkimin Europian, Kinën; njeri i lirë.
Dhe, edhe njëherë, e gjithë kjo kthehet në një nga shumë tekstet e akuzës, e akuzës inkuizicionale që po më bëhet mua nga gjithfarëlloj personazhesh”, u shpreh Rama.