Humbën jetën 40 persona/ Zbulohet shkaku i zjarrit në resortin e skive në Zvicër
Dritare.net

Një zjarr shkatërrues në një bar në resortin e skive Crans-Montana në Zvicër, në orët e para të ditës së Vitit të Ri, ka shkaktuar vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e 119 të tjerëve. Autoritetet dyshojnë se zjarri u shkaktua nga fishekzjarrë dekorativë të vendosur mbi shishe shampanje, të cilët u afruan shumë pranë tavanit të lokalit.
Prokurorja e Përgjithshme e kantonit Valais, Beatrice Pilloud, deklaroi në një konferencë për shtyp se hetimet do të përqendrohen në materialet e përdorura në ambient, masat e sigurisë kundër zjarrit, kapacitetin e barit dhe numrin e personave të pranishëm në momentin e shpërthimit të flakëve.
Ajo shtoi se hetimi do të shqyrtojë edhe mundësinë e ndjekjeve penale. “Nëse kjo rezulton e nevojshme dhe nëse personat përgjegjës janë ende gjallë, do të hapet çështje ndaj tyre,” tha Pilloud./K.C/dritare.net