
Kjo javë ka qenë një javë intensive, por është dominuar nga energjia e projekteve të reja. Kemi pasur konkursin ndërkombëtar për “Parkun e Besimit”, i cili ka qenë ndër momentet më mbresëlënëse të rrugës së re të arkitekturës dhe të transformimit të këtij vendi, në një vend ku edhe arkitektura është një arsye për ta vizituar.
12 finalistë, emra ndër më të njohurit në skenën e arkitekturës, urbanistikës, të peizazhistikës ndërkombëtare janë përballur në një ish-kazermë në afërsi të Petrelës, ku po rilind një hapësirë falë një mjeshtri të madh, siç është arkitekti japonez Kengo Kuma, e cila do t'i vihet në dispozicion artit dhe kulturës. Ka qenë një konkurs i jashtëzakonshëm me projekte të vërteta nga më të papriturat, ku është shpallur fitues nga juria ndërkombëtare, studioja prestigjioze “BIG” nga Danimarka.
Parku i Besimit do të jetë një destinacion i ri, i cili do t'i japë mundësi banorëve të Tiranës, do t'i japë mundësi të gjithë banorëve të Shqipërisë, por edhe të gjithë atyre që do të vizitojnë Shqipërinë që të shkojnë në një park, ku do të gjenden pemët, bimët, frutat, lulet e të gjitha Shkrimeve të Shenjta. Ndërkohë, do të ketë shumë për të parë dhe do të ketë shumë për të kuptuar nga historia e këtij vendi. Një tjetër event i rëndësishëm ka qenë konferenca e parë e investimeve mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, e cila si e para e këtij lloji ka qenë një sukses, por një sukses që ne duam, jo vetëm ta përsërisim, por duam të jemi edhe më domethënës vitin e ardhshëm, sepse dëshirojmë që kjo Konferencë e Investimeve të kthehet në një traditë këtu në Tiranë dhe të kthehet, në një nga ato forume ndërkombëtare në Evropë që krijojnë shumë interes, që tërheqin shumë protagonistë dhe që krijojnë më pas edhe shumë impakt.
Një tjetër konkurs ndërkombëtar ka qenë konkursi për rilindjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Gjashtë finalistë, emra të mirënjohur të arkitekturës ndërkombëtare janë përballur me projektet e tyre, projekte tejet mbresëlënëse, ku në fund fare, juria ndërkombëtare ia ka besuar rilindjen e Pallatit të Sportit, studios prestigjioze “MVRDV’’, e cila është e njohur për publikun shqiptar, e cila ka lënë tanimë disa gjurmë në Shqipëri dhe e cila ka propozuar një godinë spektakolare, praktikisht një top, brenda të cilit zhvillohet jeta sportive dhe jeta komunitare e pallatit të rilindur “Asllan Rusi”.
Qeveria ka vendosur që t'i përcjellë për një tjetër konkurs ndërkombëtar, projektin e kampusit universitar të Durrësit, Agjencisë së Planifikimit Urban.
Është një projekt, i cili shkon në vazhdën e formësimit të atij kampusi, ku nevoja për rezidencat e studentëve dhe nevoja për të tjera mjedise të domosdoshme për një kampus modern bashkëkohor është ballafaquar dhe është kthyer në një zotim nga ana jonë ndaj trupës së pedagogëve dhe studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu”. Projekti do të jetë hapi i parë dhe pastaj do të vazhdojë me realizimin e tij.
Një tjetër projekt i domosdoshëm strategjik është masterplani i godinave të drejtësisë, të sistemit të drejtësisë.
Kam vënë re me keqardhje që vetëqeverisja e sistemit të drejtësisë, falë pavarësisë së plotë që iu dha atij sistemi me reformën drejtësi ndër ato të çalat e veta, ka edhe, po themi, dobësinë e madhe në administrimin e infrastrukturës, në projektimin e infrastrukturës, në transformimin e infrastrukturës. Transformimi i infrastrukturës, transformimi i godinave pa projekte të besueshme, është mision i pamundur.
Përfundimisht kemi vendosur që edhe këtë mision ta marrim përsipër vetë dhe në Shqipërinë 2030 të kemi një infrastrukturë tërësisht të transformuar të godinave të drejtësisë, sepse nuk mund të vazhdojmë me arna, nuk mund të vazhdojmë më me hapësira dhe me mjedise gjykatash e prokurorish janë shumë larg së qëni dinjitoze, nuk mund të vazhdojë më me ngushtësira që pastaj përkthehen edhe në një performancë që lë shumë për të dëshiruar. Hapësirat publike vazhdojnë me pastrimin e kam thënë që ditën 1, nuk është një aksion, është një operacion, i cili do të vazhdojë në mënyrë kirurgjikale në çdo pjesë të organizmit urban të vendit, në çdo pjesë të organizmit urban të kryeqytetit dhe do të pastrohet çdo pjesë e prekur nga këta çibanë të patolerueshëm, vendin e cilëve do ta zëri një hapësirë e re bashkëjetese mes komunitetit dhe njësive tregtare.
Natyrisht që Tirana nuk është Teherani, e kam thënë edhe herë të tjera, dhe ne nuk do t'i mbyllim brenda të gjithë ata që kanë shërbime edhe jashtë derës së njësisë, por ama, do të vendosim kufijtë e qartë, sepse nuk mund të lejohet që në hapësirën e një komuniteti ngrehinat e vendosura aty me pahirin e forcës apo me pahirin e shpërfilljes së ligjit dhe të marrëdhënies së bashkëjetesës së shëndetshme qytetare, të bëjnë ligjin.
Këto ishin shënimet e javës dhe tani radha është për të ftuarit e javës./dritare.net

















