

Debati me karakter akademik që u ngjiz e u forcua me miratimin e ligjit për reformimin e Arsimit të Lartë në 2015-ën, duket se po rigjeneron veten për çdo vit, ndonëse për motive të ndryshme, gjithsesi mjaftueshëm dëftues për karakterin reformues në fjalë. Vitin e kaluar u risoll në vëmendje nëpërmjet pasojave që pati skema kaotike e regjistrimit të maturantëve në universitet. Sakaq, sot ky debat është rikthyer sërish në fokusin mediatik dhe jo vetëm, këtë herë lidhur me akreditimet e IAL-ve (Institucionet e Arsimit të Lartë). Në bazë të raportit të Bordit të Akreditimeve për kontrollin e kritereve të ligjshmërisë dhe cilësisë në Arsimin e Lartë, Universiteti i Tiranës vjen i renditur në fund të listës. Kjo ka bërë që debati të reduktohet vetëm në etiketën që e vendos në krizë sistemin arsimor duke vënë përballë Universitetin Publik me atë Privat. Ndonëse vëmendja së paku prej mediave erdhi prej akreditimeve, duke u mbiquajtur debati “Publik-Privat”, nëse do të kemi në konsideratë kalvarin e mëparshëm të ndezjes së polemikave gjatë dhe pas miratimit të ligjit në arsim, çështja do të na duket më përmbajtjesore nga sa u shfaq këtyre ditëve.
Profesor Artan Fuga në një shkrim të botuar së fundmi shprehet se shoqëria i detyrohet rinisë shqiptare arsim falas dhe meritokraci: “Arsimimi i kombit është një detyrë kushtetuese për shtetin, çka i detyrohet qytetarëve gjithë jetën, por në radhë të parë rinisë shqiptare. Arsimi publik i plotë, cilësor, falas, sipas meritës është e drejtë bazë kushtetuese, nuk është mall që shitet në pazar. Është njësoj si të marrësh frymë, të kesh ajër, të kesh dritë, diell.” Fuga, që në krye të herës është pozicionuar në mbrojtje të idesë së Arsimit Publik Falas, ide e sjellë artikuluar guximshëm për herë të parë nga Lëvizja “Për Universitetin” që me shpalljen e reformës në Arsim dhe qëndresën ndaj saj. “Njëmbëdhjetë teza për Arsim Falas, Cilësor dhe sipas meritës” e titullon profesor Fuga shkrimin e tij të postuar dhe në mediat sociale, në të cilin nuk ngurron të renditë arsyet dhe argumentet në mbrojtje të tezës.
Në tjetrën anë, Henri Çili, drejtues i Universitetit Europian të Tiranës, një dalje televizive deklaron se Universitetet shtetërore kanë nevojë për reformim të rrënjësishëm për shkak të cilësisë së dobët që ofrojnë dhe për një menaxhment si ai që çon para UET-in dhe cilësinë e tij. Në këtë logjikë korporatiste,- argumenton Henri Çili, -duhet të ketë konkurrencë dhe treg të barabartë për universitetet publike dhe private. Po kështu, nuk kanë ngurruar të shprehen me shkrime dhe kolegët e tij si Ardian Civici, apo profesorët e punësuar në Universitetin Europian si Lulzim Hoxha, Edi Vlusha dhe të tjerë, të cilët me pothuajse të njëjtën gjuhë pohojnë se ka ardhur momenti që universitetet të qeverisen si korporatat dhe sipas tregut, duke hedhur tutje idenë për Arsim Publik Falas, pasi sipas tyre do të cedojnë medoemos në cilësi.
Ndërkohë, përballë Çilit qëndronte pedagogu i Universitetit Publik dhe aktivist i Lëvizjes Studentore, Arlind Qori duke bërë oponencë në meritë se “Dija nuk mund të shitet e blihet si në tregun e domateve, qyshse dija nuk është mall por një e drejtë dhe si e tillë duhet t’u ofrohet në mënyrë të barabartë pa diferencime ekonomike, studentëve.” Po ashtu, për profesor Qorin shqetësues ngelej fakti që retorika e sipërmarrjeve të universiteteve private bëhet pjesë integrale e mënyrës së perceptimit të projekteve që kanë për arsimin qeveritë që shkojnë e vinë. Mungesa e një planveprimi konkret për përmirësimin e cilësisë në universitete, duke mos lënë rrugë tjetër përveç nxjerrjes në treg për të përmirësuar veten, në vend të shtimit të fondeve shtetërore në vatrën publike, tregon se Universiteti Publik do të vazhdojë të ketë probleme edhe më të mëdha ndoshta, për sa kohë nuk është në natyrën e tij (të diktuar dhe në emërtesë) të dalë në shitje; dhe në shitje me jo të ngjashmit e tij.
Argumente të tilla mund të gjenerojmë prej secilës palë edhe për shumë gjatë, por në kushtet ku rankimi që ka bërë bordi i akreditimeve vjen jo vetëm i papritur por edhe denigrues për reputacionin e traditën e Universitetit të Tiranës që, që prej vitit 1957 në arsim, për më tepër kur kjo përkon dhe me fillimin e vitit të ri akademik, studentët e paregjistuar ende vihen në dilemë për Universitetet Publike në vend. Në këtë formë, do mund të themi që tërthorazi favorizohen universitetet private për hir të cilësisë së shumë trumbetuar por të paditur? Kësisoj, reforma në arsim do të duhej minimalisht të rregullonte gjendjen e brendshme dhe të sheshonte problematikat ekzistuese të Universiteteve Publike dhe jo të shtonte të tjera. Duke shmangur linçimin e Universiteteve Publike, do të mund të siguronte pse jo, në instancë të fundit “konkurrencën e ndershme” me universitetet private siç kaq shumë pretendohet e duhet në rrethet e këtyre të fundit./dritare.net

















