Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Basha i pandehur/PD: Rama sulmon kundërshtarët politikë me sajesa

Basha i pandehur/PD: Rama sulmon kundërshtarët politikë me sajesa
Partia demokratike ka reaguar në lidhje me vendimin e prokurorisë së Tiranës, për ta shpallur të pandehur Lulzim Bashën në lidhje me lobimin rus në SHBA. Në reagim thuhet se PD, ka vepruar në transparencë të plotë dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin  çdo shpenzim të kryer.

"E vërteta është se ishte Partia Demokratike që i kërkoi Prokurorisë hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të financave dhe shpenzimeve të saj, e bindur se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin. Partia Demokratike ka deklaruar që ditën e parë se kjo akuzë u sajua nga Edi Rama për të zhurmuar skandalet korruptive të Qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Partia Demokratike vlerëson faktin që pas 2 viteve të mbajtjes së kësaj çështje të hapur për qëllime propagande qeveritare, çështja është dërguar në gjyq. Tashmë shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentet e plota, në seanca gjyqësore të hapura dhe transparente, ku do të provohet se Partia Demokratike ka bërë transparencë të plotë të financave të saj dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin çdo shpenzim të kryer.

Ndërkohë që partnerët strategjikë bëjnë thirrje për reforma që forcojnë pavarësinë e institucioneve, drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama, nuk heton krimet dhe korrupsionin qeveritar, mbyll sytë përpara lidhjeve të krimit me politikën, dhe sajon akuza kundër kundërshtarit politik të Edi Ramës.

Prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, as ka nisur hetime dhe as ka marrë të pandehur Edi Ramën për financim të paligjshëm, edhe pse ky fakt është provuar tashmë nga drejtësia" njofton PD./L.F-dritare.net