Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arjan Konomi braktisi Tiranën, për Vunoin dhe u kthye me një libër

Arjan Konomi braktisi Tiranën, për Vunoin dhe u kthye me një

Nga Dritare.net

Arjan Konomin jemi mësuar ta shohim në shumë ekrane televizive, herë në rolin e opinionistit, e herë të tjera si gazetar. Por, prej rreth dy vitesh, pa shumë zhurmë ai vendosi të largohej nga ekrani. Kohë në të cilën u rikthye në shtëpinë e gjyshërve, në Vuno. I rrethuar nga gjelbërimi e lulet shumëngjyrëshe, krejt spontanisht Arjani vendos të jetojë aty, vetëm.

“Ka qenë një rikthim i imi në kujtimet e vegjëlisë, është fshati ku unë jam rritur gjatë pushimeve të verës, te gjyshërit e mi. Vunoi është një fshat i mrekullueshëm , me një plazh të jashtëzakonshëm si Jali dhe rastësisht mbeta atje. Nuk e di në ishte diçka shpirtërore, diçka që më rikthente në kujtimet e mia, por aty gjeta qetësinë për të cilën kisha nevojë.”

Ishte pikërisht fshati Vuno, i cili, e frymëzoi Arjanin të guxonte në realizimin e librit të parë, “Saga e jetëve legjendë”.  Arjani ia dedikon, babait të vetë, i cili humbi jetën, teksa ende nuk kishte përfunduar shkrimi i librit. Një libër që ngjan se përbëhet nga gjashtë novela të ndryshme, pasi ashtu janë edhe personazhet e përzgjedhur. Winston Churchill, Katerina e Madhe, Albert Speer, Caravaggio, Maria Callas, Albert Einstein; emra të cilët kanë sjellë ndryshime, edhe për shoqërinë e ditëve moderne. Edhe pse janë figura historike shumë të njohura dhe gjenden pafund informacione për ta, “Saga e jetëve legjendë”, i sjell në një perspektivë tjetër. Pasi, për emra të tillë, asnjëherë nuk do të ndalohet së shkruari.

“Vunoi ishte e vetmja mundësi, që unë t’i përkushtohesha i gjithi librit, pasi nuk takoja njeri, ishte krejt vetëm. Më shoqëronte vetëm ndërgjegjja ime, kompjuteri, shënimet, një mori librash dhe kjo më bëri të gjej vullnetin e forcën, për ta mbaruar këtë libër. Jam shumë i kënaqur, sepse e kam ëndërruar gjithë jetën, për ditën që do të publikoja një libër timin.

Përzgjedhja e figurave ka qenë një ndër vështirësitë, pasi kam dashur të sjell një gamë të gjerë të personazheve. Po të ishte për mua, do kisha mbetur te sundimtarët, ose tek artistët, por pastaj mendova që edhe politikanët e shkencëtarët kanë një rëndësi të madhe.

Për ta, është shkruajtur shumë e do të vazhdohet të shkruhet gjithmonë. Ato janë personazhe shumë të dobishme për shoqërinë, rininë. Kultura është ajo që ndikon, përveç edukimit, njohja ka shumë rëndësi për ta formuar njeriun. Asnjëherë nuk është e tepërt të shkruash për këta personazhe. Unë mendoj që në Shqipëri ka një mangësi shumë të madhe për biografitë e personazheve të këtij lloji. Mua më thanë për të shkruar edhe për personazhe shqiptar, por unë pas një reflektimi të gjatë vendosa të mos e bëja. Pasi, sipas meje, personazhet shqiptare janë interesantë, por janë për një botë shumë të vogël. Unë doja që njerëzve t’iu jepja një botë shumë të madhe.”

Arjani zbulon për lexuesit e dritare.net, një detaj nga jeta e politikanit Albert Speer dhe lidhjen e tij me diktatorin Adolf Hitler. Një detaj që pakkush e di, për raportin homo-erotik, që kishin me njëri-tjetrin. Arjani siguron lexuesit, se ngjarje të tjera, të panjohura masivisht nga njerëzit, janë në libër, për secilin prej personazheve.

“Unë i kisha lexuar të gjitha autobiografitë e personazheve, por teksa shkruaja për ta kam mësuar detaje të reja, e kuptova që unë nuk dija asgjë.

Për shembull, lidha e Albert Speer me Adolf Hitler, i cili është quajtur nga psikoanalistët, si një lidhje homo-erotike. Një lidhje vërtetë e veçantë, një varësi me njëri-tjetrin, e cila shpjegohet shumë mirë në qindra faqet e kujtimeve të Albert Speer, e çfarë kanë shkruar bashkëkohës së tyre. Ky diktator kaq i egër e kaq mizor, që nuk njihte asnjë rregull e nuk pranonte këshilla, të ishte aq i bindur dhe i varur nga djali i pashëm Albert Speer.”

Edhe pse promovimi i librit, u bë ditën e djeshme, Arjani thotë për dritare.net, se është duke menduar vëllimin e dytë, me personazhe të tjera. Dhe ndoshta në një të ardhme, do të vijë me një libër auto biografik.

“Mund të bëj edhe një libër të dytë, ku do të vazhdoj në të njëjtën linjë, me personazhe të tjera. Kjo sagë do të vazhdojë me njerëz që i kanë dhënë një kontribut të madh njerëzimit. Personazhet e mëdhenj nuk bëhen dot në kohë moderne, ato i bën historia. Ndaj unë do të vazhdoj, me këto personazhe. Personazhe të cilët, përveç jetës profesionale, kanë pasur jetë private mahnitëse, e në disa raste edhe tragjike e të pabesueshme. Prandaj, edhe unë i kam quajtur legjenda. Janë gërshetuar jetët personale me ato profesionale, jam përpjekur të jetë një libër që sjell historinë, por edhe privaten.

Mendoj që nisa të shkruaj për jetët e të tjerëve, për të shkruar për jetën time. Në një të ardhme, sepse kam ende shumë për të jetuar, unë mund të realizoj një libër autobiografik. Mendoj që ka gjëra shumë interesante, të cilat ia vlejnë të shkruhen dhe që kanë të bëjnë qoftë me eksperiencën time si gazetar në Kosovë, gjatë kohës së Serbisë, apo përvoja ime në kohën e komunizmit.”

Pyetjes nëse emrin e Arjanit do ta shohim veç në shtëpitë botuese, apo do të ketë një rikthim edhe në televizion, opinionisti thotë për dritare.net, se mendon të shfaqet në ekran, sezonin e ardhshëm televiziv.

“Kjo ishte një dëshirë që e kisha prej kohësh dhe arrita ta realizoja. Televizioni mbetet një pasion i imi, ashtu si edhe libri. Shpresoj që ky libër të eci, e të ketë impakt e reagim të mirë nga publiku, në mënyrë që të më japë krahë për të shkruar edhe një libër tjetër. Mendoj të rikthehem përsëri në televizion, ende nuk kam një gjë konkrete, por mbetet për tu parë sezonin e ardhshëm televiziv.

Ajo që di të them me siguri është që do të rikthehem përsëri në Vuno, do të vazhdoj të jetoj atje, pasi Tirana është shumë e vogël për mua, kurse fshati është i madh e frymëzues.”/dritare.net