Arben Malaj kundër përgjysmimit të tarifës së Universiteteve: Nuk e mban buxheti i shtetit

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj është shprehur pro kërkesave të studentëve që kanë një javë që protestojnë, por ai është kundër heqjes apo përgjysmimit të tarifës që studentët duhet të paguajnë.

Sipas Malajt, buxheti i shtetit nuk e përballon dot një gjë të tillë.

“Jam skeptik ndaj kërkesave për arsim të lartë falas apo reduktim të ndjeshëm të tarifave. Kjo sepse diferenca që do të krijohet, do të duhet të financohet nga taksimi i përgjithshëm, i cili ka prioritar arsimimin që nga ai parashkollor deri tek ai universitar.

 

Politikat publike më efikase janë ato që mbështesin më shumë aty ku përfituesit janë më të mëdhenj në numër.

Faktori përcaktues në përmirësimin e mirëarsimimit mbetet stafi mësimdhënës dhe mbështetës në çdo nivel të tyre”, shkruan Malaj në llogarinë e tij në Facebook.

Për të, Shqipëria nuk i ka aktualisht mundësitë reale për të dyfishuar mbështetjen buxhetore nga 2.9 % e PBB-së në 5.%.

Sepse, sqaron Malaj, kjo rritje e menjëhershme ka tre burime financimi. E para, të shkojë në rritje deficiti dhe borxhi. E dyta, të mbulohet nga shkurtime në sektorët e tjerë prioritarë dhe e treta, një kombinim midis rritjes së të ardhurave dhe ristrukturimit më efektiv të shpenzimeve buxhetore.

“2.1 % e PBB-së janë gati rreth 75% e investimeve publike në një vit buxhetor nga burimet tona të brendshme. Ndërsa defiçiti i skemës së sigurimeve sociale dhe shëndetësore është rreth 450 milionë dollarë ose rreth 1.5 herë më shumë se investimet publike. Pra, nëqoftëse bëhet ky premtim dhe nuk do të mbahet, kjo dëmton kredibilitetin e qeverisjes dhe ushqen zhgënjimet dhe largimet nga vendi. Objektivi i rritjes duhet të jetë afatmesëm dhe i matshëm çdo vit.

Po kështu kërkesat ultimative mund të nxisin zinxhirin e tyre, pra të kërkojnë rritje pagash mësuesit, infermierët, mjekët, ushtarakët, policët, të kërkojnë rritje pensionesh pensionistët.

LEXO DHE :  Kujdes! Këto ushqime shkaktojnë kancer!

Kjo do ta çojë vendin në një spirale protestash që do të ushqejnë pasiguri dhe do të prodhojnë kosto të rënda buxhetore, individuale, sociale dhe politike,” thotë ish-Ministri i Financave, duke vazhduar shpjegimin e tij se “studentët si promotorë të ndryshimeve të mëdha demokratike, duhet t’i bëjnë propozimet e tyre të arsyeshme dhe të arritshme.

Një kërkesë e hapur publike ndaj studentëve është edhe ndalimi i keqpërdorimit të rrjeteve sociale për të njollosur çdo profesor.

Kjo i dëmton lëvizjes kredibilitetin publik dhe misionin e saj,

“Shpresoj shumë në mirëkuptimin tuaj dhe mirëpres me mirënjohje çdo diskutim pozitiv”, shprehet Malaj.

Duke u solidarizuar me studentët për kërkesat e tyre lidhur me përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, Malaj rendit kërkesat që mbështet:

1- Çdo hap që thellon dhe garanton demokratizmin e qeverisjes së IAL.

2- Rishikimin e kurrikulave;

3- Rritjen e fleksibilitetit të programeve universitare;

4- Zgjerimin e ofertës akademike duke i dhënë mundësi çdo të riu të testojë aftësitë e tij për të studiuar në universitet;

5- Zgjerimin e programeve nga part-time, në fundjavë, on-line dhe çdo mënyre të re të cilat përmirësojnë cilësinë dhe lehtësojnë kostot e mirëarsimit të të rinjve;

6- Akses në sistemin e bibliotekave online dhe çdo burimi alternativ;

7- Përmirësimin rrënjësisht të logjistikes mësimdhënëse, e cila nuk u përgjigjet teknologjive të reja,

8- Reduktimin e çdo kostoje abuzive të drejtëpërdrejtë apo indirekte ndaj studentëve;

9- Çdo kërkesë që rrit transparencën e vendimmarrjes dhe të përdorimit të mençur dhe efikase të investimit individual dhe publik në universitete,

10- Të luftohet me rrënjë korrupsioni dhe nepotizimi

11- Përmirësimin e menjërshëm të kushteve të jetesës./ I.M-Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.