Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Ambasada greke iu shkruan protestuesve çamë. Ja përmbajtja

Ambasada greke iu shkruan protestuesve çamë. Ja përmbajtja
Të nderuar protestues

Me kënaqësi pamë sot se ishit mbledhur para ambasadës tonë në Tiranë, pavarësisht shiut. Kjo na tregon se të dy palët jemi të

një gjaku dhe për çështjen kombëtare nuk na dhimbset vetja edhe të lagemi.

Por meqënëse jeni të rinj në zanatin e protestave, na lejoni t’iu japim nja dy mësime.

Si fillim, nuk kishit pse vinit përpara ambasadës së Greqisë për probleme që duhet t’i mbrojë shteti shqiptar në bisedime. Është detyra jonë që në bisedime të mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe të marrim maksimumin, ashtu sikurse interesat tuaja duhet ti mbrojë shteti shqiptar.

Ndaj më llogjike do të ishte të protestonit para selisë së qeverisë shqiptare, pasi dhe ne, në momentet e krizës ekonomike nuk shkonim të protestonim përpara Ambasadës Gjermane, por tek selia e qeverisë tonë.

Në këtë kontekst, mesa kemi dijeni ju keni nja tre deputetë në parlament që përkrahin qeverinë. Kërkoini atyre ti bëjnë presion Bushatit dhe Ramës. Apo nuk ia u fërshëllejnë? Epo në këto raste nuk zgjidhet problemi i gomarit duke i rënë samarit.

Gjithsesi, kur protestoni kini parasysh që bëheni më të besueshëm nëse hidhni ndonjë shishe molotov ose kapsollë, përndryshe kujtojnë se bëni xhiron e së dielës. Të paktën ne në Evropë kështu i konsiderojmë protestat.

Dhe së fundmi, që mos të harxhoni energji kot, edhe po erdhët në Greqi, ne nuk kemi drejtori patentash apo drejtori pensionesh për ti ndarë me partitë e tjera, pasi ky është funksion civil dhe jo partiak. Edhe tokat në bregdet i kemi të ndara me tapitë e vjetra dhe nuk kemi në plan të bëjmë ndonjë reformë agrare. Kështuqë shikoni çfarë mund të bëni në Vlorë dhe Sarandë se këndej kanë mbaruar.

Gjithsesi ne mbesim të hapur për bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience edhe në të ardhmen, dhe protestat, përveç sensibilizimit na shërbejnë edhe që të çmallemi./dritare.net