
Aleat me Ramën, por Milo shkon tek Meta: Zgjedhjet të jenë gjithëpërfshirëse
Dritare.net

Në fund të takimit Milo u shpreh se “nuk ka rëndësi se kur bëhen zgjedhjet, rëndësi ka që të bëhen sipas standardeve dhe të plotësojnë kriteret demokratike, të jenë të lira dhe në mënyrë të veçantë të jenë gjithëpërfshirëse”.
Gjithashtu kreu i PDS, theksoi se zgjedhjet e njëanshme mund të komprometojnë hapjen e negociatave me BE-në.
“Zgjedhjet duhet të kontribuojnë në plotësimin e standardeve dhe të kushteve që BE i ka vendosur Shqipërisë për të hapur negociatat sepse në rast të kundërt çdo tentativë për të bërë zgjedhje të njëanshme do të mund të kompromentonte hapjen e negociatave, gjë që padyshim s’do ishte mirë për Shqipërinë dhe të ardhmen europiane të saj”, tha Milo.
Gjithashtu aleati i Ramës theksoi se “ne do vijojmë të takohemi jo vetëm me presidentin. Shprehim gatishmërinë tonë për t’u takuar me të gjitha subjektet politike për ta trajtuar me përgjegjshmëri krizën politike në të cilën ndodhet Shqipëria që të gjejmë zgjidhen më të përshtatshme më të domosdoshme. Ndaj Partia Social Demokrate është e gatshme për t’u takuar edhe me PS edhe me subjektet e tjera politike me mendimin se Shqipërisë në këto momente të vështira duhet të dëshmojë urtësi dhe klasës politike përgjegjshmëri që interesi kombëtar të mbizotëroje mbi interesat politike. Unë përfaqësoj Partinë Demokracia Sociale, jam dhe vijoj të qëndroj në aleancë të deklaruar me PS-në, por kjo s’do të thotë që të mos jem i lirë për të shprehur pikëpamjet e mia. Subjekti politik që përfaqësoj vendos interesin kombëtar. Duam stabilitet dhe që Shqipëria të shmangë përplasjet politike dhe sociale”, përfundoi Milo.
Milo është regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërkohë më herët është shprehur se është i shqetësuar nga kriza politike dhe se gjendja mund të acarohet deri në një shpërthim social./e.k-Dritare.net

















