Zjarr në Dropull/ Kryetari i Bashkisë falenderon ndihmën greke!
Dritare.net

Zjarret kanë përfshirë sërish vendin dhe këtë herë në mëshirën e tyre është Gjirokastra, ndërkohë që ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nuk duket asgjëkundi.
Dropulli është edhe zona më e rrezikuar. Kryetari i Bashkisë së Dropullit, Dhimitraq Toli ka informuar për situatën e zjarreve që kanë përfshirë disa fshatra. Toli bëri thirrje që përgjegjësit e situatës të dalin para ligjit, ndërsa falenderoi gjithashtu shtetin grek, i cili dërgoi dy avionë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

“Situata nuk ka qenë e qetë, zjarri është përhapur në të gjitha fshatrat njëherësh dhe era ka bërë të pamundur që forcat të ndërhynin dhe të mundësonin fikjen e zjarrit. Ne kemi marrë të gjitha masat. Zjarri ka qenë në fshatin Lugar dy metër afër një banese. Një bilanc akoma nuk kemi, por janë djegur kullotat dhe një stan në fshatin Goricë. Sipërfaqja është e madhe dhe akoma nuk mund të them se sa janë djegur. Unë uroj që përgjegjësi për këtë situatë të shkojë para ligjit sa më shpejt. Një falenderim e kam për qeverinë greke që na mundësoi dy ndërhyrje nga ajri. Ishte një ndihmë shumë e madhe se zjarri ishte 13 metra i lartë, nuk afrohej dot njeri”, tha Toli./M.K/dritare.net