

Për të njëjtën arsye të përmendur, një mikja ime më kërkoi ta shoqëroja në spitalin e qytetit, ku aktualisht jetoj, pasi ishte e vështirë për të, të kërkonte një shërbim të tillë në qytezën e vogël ku ajo banonte, ku i dukej se çdo infermiere ishte mike me të ëmën e saj.
Bisedova me një infermiere, që banonte tek pallati im, në mënyrë që të lija një takim paraprakisht, por dhe të informohesha për çmimin.
“Eko kushton rreth 15 mijë lekë dhe përveç saj shërbimi shkon rreth 50 deri në 60 mijë lekë të vjetra”, më tha.
Të nesërmen u takuam me mjeken, e cila pas ekos na konfirmoi se vajza ishte në muajin e dytë të shtatzënisë.
-I dëgjon rrahjet?
Pyetja e saj të fuste të ftohtin, më tepër se ambienti, mjaftueshëm i akullt, për nga temperaturat e nga ngjyrat.
E do një foto, iu drejtua mikes sime.
-Nëse mundeni, po.
Unë mendova se mund ta përdor foton si shoqëruese të artikullit. (mendim zero gradë celsius, ama profesional).
-Kaloni nga dhoma tjetër.
E ndihmova të fshinte xhelin në fund të barkut dhe kaluam në një ambient po njëlloj të ftohtë. E vetmja ngjyrë që thyente të ftohtin ishte lejlaja e fortë e buzëve të mjekes.
- Sa vjeçe je ti vajzë?
- 27
- Si profesioniste që jam, duhet të të paralajmëroj se je në moshën e duhur për të pasur një fëmijë, pa i ditur fare arsyet që të kanë drejtuar tek unë.
Për më tepër fëmija është në gjendje mjaft të mirë. Kam çifte sot që po harxhojnë miliona për të pasur një fëmijë. Pse nuk do ta mbash?
- Më duhet të zhvendosem për dy javë. Punoj në një linjë ajrore dhe nuk më marrin në punë nëse jam shtatzënë.
- Çfarë pune bën aty? Stjuardesë?
- Po
- Se mos je akademike dhe po ndërpret karrierën. Do të duash më vonë të kesh fëmijë dhe nuk do jetë e lehtë. Paguheni mirë aty?
- Rreth 2 mijë dollarë në muaj. Më duhet të punoj, për momentin nuk kam kushte për të sjellë në jetë një fëmijë.
Për një moment u duk sikur edhe doktoresha u bë mirëkuptuese, se shuma të tilla nuk janë pak.
- Gjithsesi do të jap kohë deri nesër të mendohesh. Nëse vendos të vish, do të marrësh 2 kokrra Citotek
një në 5 të mëngjesit, një në 8 e më pas hajde të mbarosh punë.
***
Dolëm nga aty. Mendova mos kishte dilema pas moralizimit të doktoreshës, por ajo u drejtua e sigurt tek farmacia, për të marrë ilaçet e recetës.
Zilja e mëngjesit më reflektoi imazhin e turbullt të saj, mes sklepash e ëndrrash, teksa kapërdinte kokrrat.
Rreth orës 9: 00 ishim tek materniteti. Menduam të sqaronim çështjen e pagesës përpara. Infermieria na priti te holli.
- Ti je vajzë, çka do të thotë nuk ke lindur më përpara. Ndërhyrja do kujdes. Po rreth 100 – 120.
- Po sikur folëm ndryshe më përpara, ndërhyra.
- Epo doktoresha këtë shifër më dha. Ju në qoftë se nuk jeni dakord mund ta mendoni.
Ilaçet që kishte marrë, kishin filluar të jepnin efektin e tyre dhe ajo kishte gjakderdhje.
- Mjafton që mos ta ndjej, folëm të dyja në të njëjtën kohë.
- Jo jo, do t'i
japim morfinë, nuk ka qetësues më të fortë. Nuk do ketë dhembje fare.
Prita jashtë. I premtova vetes se do të jem më e përgjegjshme, nëse nuk doja të ndjeja hekura të ftohtë brenda vetes. Zgjati diku rreth 15 minuta.
Pasi mora leje për të hyrë brenda, pashë një infermiere që tërhoqi një enë plot me gjak të mpiksur, tutje. Teksa e ndihmoja të vishej, ato komentonin se vajzat e sotme edhe për abort vinin me mbathje me tantella. Nuk e lanë më shumë se 10 minuta të shtrirë, sepse dhoma nevojitej për pacientë që prisnin jashtë. E takuam për herë të fundit doktoreshën e cila po konfirmonte në telefon nëse mikja ime e kishte marrë një antibiotik, apo jo. Infermierja që ishte dhe fqinja ime na shoqëroi deri tek porta. Nuk e kuptova nëse u tregua e sjellshme, sepse i kisha dhënë para mjaftueshëm, apo mos po priste t'i jepja të tjera./Dritare.net

















