Kur Kadare u kthye nga Franca, takimi i rrallë me studentët e Dhjetorit
Dritare.net

Mjeshtri i fotografisë Stefan Gaji sjell në Dritare TV pamje të rralla nga arkivi i tij personal. Ato janë xhiruar në vitin kur Ismail Kadare u kthye nga Franca në Tiranë. Në pamje, shkrimtari takohet me studentët e Lëvizjes së Dhjetorit në një sallë plot me të rinj dhe pedagogë. Ai flet për takimin që e kishte pritur prej kohësh, për Shqipërinë që po dilte nga „ngrirja" dhe për rolin e studentëve në lindjen e demokracisë shqiptare.
Ja fjala e plotë e Ismail Kadaresë:
"Së pari desha t'ju falënderoj për praninë tuaj këtu. E kam pritur, e kam menduar prej kohësh këtë takim. E kam pritur prej kohësh, kam qenë i sigurt për këtë. Ajo për të cilën s'kam qenë i sigurt ka qenë afati, koha kur do të bëhej. Të them të drejtën, e kam menduar pak më vonë. Për fat të mirë, ajo ndodhi më parë.
Jemi takuar disa herë me studentët, jemi takuar në tjetër kohë. Ju ishit shumë më të mbërthyer, unë gjithashtu nuk kam qenë i lirë. Megjithatë mendoj se diçka jemi marrë vesh. Kam kuptuar gjithmonë prej jush edhe ato mesazhe që nuk shpreheshin qartë, dhe besoj se edhe ju keni kuptuar prej meje diçka nga ajo që doja t'ju thoshja.
Tani unë ju takoj në një epokë tjetër. Ka ndryshuar një gjë e madhe. Ngjarja që i ndodhi Shqipërisë ishte pjesë e një ngjarjeje botërore, dhe si e tillë duhet parë. Shqipëria ishte e ngrirë. Jeta e saj rridhte në këtë mënyrë. Sot Shqipëria është e lirë. Sot Shqipëria në botë ecën vetë, në një botë të shqetësuar, në një planet të shqetësuar, ku 150 shtete e më tepër përpiqen të zënë vend, të tërheqin vëmendjen, të afirmojnë veten, të jetojnë, të pasurohen, të lumturohen. Është jashtëzakonisht e vështirë, jashtëzakonisht e rëndë, nuk është e lehtë.
Prandaj mbaroi natyrisht ngrirja, nata, vdekja; filloi jeta. Jeta ka telashet e saj, por sidoqoftë ato janë telashet e jetës, që ndryshojnë kryesisht nga statusi i vdekjes.
Kam qenë i lumtur që ditën e parë kur ju filluat lëvizjen tuaj. Është një shenjë e providencës në Shqipëri lëvizja e studentëve, prej kulturës, prej dritës. Prania juaj i dha gjithçkaje një kuptim të ri, një kuptim human, i dha një shpresë, e lartësoi qysh në fillim, e pagëzoi qysh në fillim demokracinë shqiptare, e paraqiti në ditën më pozitive të saj."