
22 nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Dritare.net

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe.
Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.
Zgjidhja e kësaj çështjeje ndihmoi si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar, duke i dhënë një shtysë historike përhapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe.
Alfabeti i përbashkët u bë në fakt pararendës i pavarësisë, i shtetit të përbashkët, që u themelua 4 vite më vonë në Vlorë./E.B-dritare.net

















