
Video/ Tmerri i shoferëve, droni kap autobusin që ndalon në rrethrrotullim
Dritare.net

Ndërkohë, shumë shkelje janë kapur me dron dhe radar, nga ana e shoferëve, në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.
Përmes një njoftimi të bërë mëngjesin e sotëm, Policia Rrugore, ka bërë me dijë se, shumë shoferë, që kanë shkelur rregullat janë dënuar me masë administrative si, gjoba.
Njoftimi i plotë
Policia Rrugore e Tiranës në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Policisë Rrugore vijuan kontrollet në funksion të Planeve të nisura më herët nga rrugorët e kryeqytetit, ku krahas kontrolleve me mjetet speciale radar e drager, apo formave të tjera të organizimit për të evidentuar e ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, tashmë monitorimi dhe konstatimi i shkeljeve po realizohet edhe me dron.
Kontrollet u fokusuan në drejtim të kontrollit dhe ndëshkimit të drejtuesve të mjeteve që nuk i japin përparësi mjeteve që qarkullojnë në rrethrrotullim, mjeteve që nuk i japin përparësi këmbësorëve në vendkalimet e tyre, mjeteve që kryejnë parakalime në rrugë me fushëpamje të kufizuar ku dhe rrezikshmëria për t’u përfshirë në aksidente rrugore është më e madhe.
Nga monitorimet dhe kontrollet përgjatë këtyre ditëve janë konstatuar dhe ndëshkuar me masa administrative, 128 drejtues mjetesh për shkeljet e lartpërmendura.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit si nga drejtuesit e mjeteve ashtu dhe nga këmbësorët me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore./K.C/Dritare.net

















