Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vdes Mobarak, njeriu që solli eshtrat e Vaso Pashës, nga Libani në Shqipëri

Vdes Mobarak, njeriu që solli eshtrat e Vaso Pashës, nga Libani
Melhem Mobarak, libanezo-kanadezi i dashuruar me Shqipërinë, është ndarë nga jeta. Mobarak, një mik i shquar i Shqipërisë, erdhi atëherë kur askush lejohej. Në fillim nga kurioziteti, pastaj nga dashuria. Mësoi shqip sepse e donte këtë vend.

Më pas takoi çdo shqiptar të njohur në emigracion, përfshirë edhe të huajt që e njihnin dhe kishin shkruar për Shqipërinë si Julian Amery dhe David Smiley. Ndërsa në Amerikë ai ruajti kontaktet me Arshi Pipa, Peter Prifti, Sami Repishti, Nicholas Pano, Martin Camaj, Anton Logoreci, Elez Biberaj, Gjon Sinishta, Anthoni Athanas, Alan Ducellier dhe Janet Byron. Ai iu fut studimit të historisë së Shqipërisë, duke krijuar një nga koleksionet më të pasura me libra dhe sidomos vepra arti, që mund të ketë ndonjë i huaj për Shqipërinë.

Mobarak ka qenë njeriu i cili bëri të mundur kthimin e eshtrave të Vaso Pashës, gruas së tij të dytë dhe vajzës së tij Maria në Shqipëri, nga Libani ku ishin varrosur.

eshtrat

Ja çfarë shkruan Mobarak për ngjarjen në vitin ’78: “Fati është i çuditshëm, Vaso Pasha i cili vetë kishte deklaruar se ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’, a do të kishte menduar ndonjëherë se një ditë ky slogan do të aplikohej në kufomën e tij, të nxjerrë nga një varrezë fetare e Libanit, për t'u varrosur në një varr pa kryq, në Shqipëri”.

Të gjitha ngjarjet, takimet dhe historitë që e lidhin Mobarak me Shqipërinë, ai i ka hedhur në një libër shumë interesant që i ka shpëtuar vëmendjes së publikut, por që i shërben arkivës historike. Aty është rrëfimi në vetë të parë i Melhem Mobarak, që ai e ka titulluar librin e botuar nga Onufri, ‘Kujtimet e një albanozauri’.

kadare mobarak

Libri hapet me parathënien e Ismail Kadaresë i cili shkruan: “Libra si juaji janë tepër të nevojshëm, sepse në peizazhin e shkatërruar të këtyre vendeve, një mjegull dhe një gënjeshtër e madhe përpiqet disa herë të zëvendësojë një gënjeshtër që sapo u përmbys. Ndaj ata njerëz, që me anë të kujtimeve, dëshmive dhe librave si ky do të ndihmojnë për të dhënë tablonë e vërtetë dhe kronikën e vërtetë të tragjedisë që ka ndodhur, do të jenë përherë të çmuar sot e sidomos nesër, në të ardhmen”.

Familja e Mobarak, e cila jeton në Kanada prej vitesh, qyshkur në Liban nisi lufta, donte ta ndante me shqiptarët lajmin e vdekjes së njeriut të tyre të shtrenjtë, që një pjesë të zemrës e kishte lënë në Shqipëri./dritare.net