Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot dita e Shna Ndout, meshtarit të mrekullive!

Sot është dita e Shën Antonit nga Padova, apo si e njeh populli shqiptar, Shna Ndou. Ky shenjtor është pa dyshim një nga shenjtorët më të dashur e më të nderuar në të katër anët e botës e gjithashtu dhe në vendin tonë.

Ai lindi në Lisbonë, më 1195 dhe u nda nga jeta tokësore më 13 qershor 1231, datë e cila njihet si festa e tij. Shna Ndou njihet nga Kisha Katolike si mbrojtës i familjes, martesës, udhëtarëve dhe kafshëve.

Misionin e tij kushtuar fesë, e nisi si rregulltar i Urdhrit Agostinian e më pas kaloi në atë françeskan, duke shkuar në viset e egra, ku katolicizmi nuk njihej ende. Ditën ia kushtonte kishës dhe tokës, prej të cilës ushqehej bashkë me fretërit e tjerë, ndërsa natën ia kushtonte librit.

Shna Ndou u njoh si teolog i Urdhrit Françeskan, mistikës së të cilit i mbeti besnik deri në vdekje. “Këtu, në tokë syri i shpirtit është dashuria, e vetmja, që vlen, për të çarë çdo vel, i cili na pengon për të parë Zotin. Atje ku intelekti ndalet, vijon dashuria që, me ngrohtësinë e saj, të çon tek Ai i Lumi”, ka shkruar Shna Ndou.