Smart City/ 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente
Dritare.net

Njëzet shkollat më të frekuentuara të Tiranës janë pajisur me kamera inteligjente në kuadër të projektit kombëtar “Smart City”. Në total janë instaluar 600 kamera, të cilat pritet të rrisin sigurinë për rreth 14 mijë nxënës.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro inspektoi Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit.
Sipas autoriteteve, sistemi integron tre komponentë kryesorë: sigurinë rrugore, sigurinë publike dhe sigurinë në shkolla.
Ministri Lamallari shpjegoi se kamerat, të mbështetura nga inteligjenca artificiale, janë programuar të identifikojnë persona të paautorizuar, sende të ndaluara apo sjellje të rrezikshme dhe të dërgojnë sinjalizime në kohë reale.
“Informacioni nga 20 shkollat e Tiranës vjen në qendrën e komandës, ku sistemi izolon pamjet që paraqesin rrezik dhe njofton menjëherë Policinë e Shtetit,” tha ai.
Nga ana e saj, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, theksoi se kamerat do të vendosen vetëm në mjediset publike të shkollave, si korridoret dhe hapësirat e përbashkëta, dhe nuk do të monitorojnë ambientet private.
Ajo sqaroi se, ndryshe nga kamerat tradicionale që përdoren pas një incidenti për të rindërtuar ngjarjen, sistemi inteligjent synon të evidentojë paraprakisht rreziqet potenciale, duke u dhënë mundësi shkollave dhe Policisë të ndërhyjnë përpara se të ndodhë një incident./L.F-dritare.net