Finalja e Kupës së Botës 2026 do të hyjë në histori me një risi të paprecedentë. FIFA ka konfirmuar se për herë të parë ndeshja që do të shpallë kampionin e botës do të shoqërohet me një spektakël madhështor gjatë pushimit mes dy pjesëve, duke ndjekur modelin e famshëm të finales së Super Bowl në NFL.
Sipas medias spanjolle SPORT, pushimi tradicional prej 15 minutash do të zgjatet në rreth 25-30 minuta, për t'i lënë vend një shfaqjeje me artistë të njohur ndërkombëtarë. Ndërkohë, The Times raporton se në skenë pritet të performojnë emra si Justin Bieber, Shakira, Madonna, BTS, Burna Boy dhe Coldplay, duke e kthyer finalen në një event që bashkon futbollin dhe muzikën.
Megjithatë, vendimi ka shkaktuar debat në botën e futbollit. Analistët e SPORT argumentojnë se një pushim kaq i gjatë mund të ndikojë në ritmin e ndeshjes dhe në aspektin taktik, pasi skuadrat do të kenë më shumë kohë për t'u rikuperuar fizikisht dhe për të ndryshuar strategjinë. Sipas tyre, ekipe që bazohen te intensiteti i lojës mund të humbasin avantazhin e krijuar në pjesën e parë.
FIFA e ka testuar më parë këtë format në finalen e fundit të Kupës së Botës për Klube, ku pushimi u zgjat në rreth 24 minuta për shkak të një shfaqjeje artistike. Edhe pse eksperimenti u prit me kritika nga disa klube, drejtori operacional i Botërorit 2026, Heimo Schirgi, ka konfirmuar se ceremonia e finales do të jetë një spektakël i madh që do të ndërthurë muzikën, kulturën dhe futbollin, duke e bërë finalen një nga ngjarjet më të mëdha sportive dhe artistike të vitit./dritare.net