
Mjekja shqiptare në Itali që u vàksinua kundër Covìd-19 flet për Dritare.net: Vàksina është àrma e vetme mbrojtëse që kemi, duhet të besojmë te shkenca!
Dritare.net
Nga Manjola Markola
Mjekja stomatologe shqiptare, Blerina Demaliaj e cila jeton dhe punon në Itali është vaksinuar kundër Covid-19, në datën 2 janar. Ndërsa punon në “Friuli Venezia Giulia”, vaksinimi për të ka qenë një detyrë morale ndaj pacientëve dhe bashkëpunëtorëve të saj. Ajo ka rrëfyer për Dritare Tv, se momenti kur është vaksinuar ka qenë sjellë për të një ndjesi lirie dhe se të gjithë duhet të kenë besim te shkenca.
Dritare.net: Ju sapo jeni vaksinuar kundër Covid-19, si ndiheni?
Dr. Blerina Demaliaj: Po, unë jam vaksinuar në datën 2 janar 2021. Ndihem shumë mirë, si nga ana shëndetësore, ashtu edhe nga ajo morale.
Dritare.net: Jeni me profesion stomatologe, pra në marrdhënie të vazhdueshme me pacientët tuaj, ishte kjo një arsye e fortë për t’u vaksinuar?
Dr. Blerina Demaliaj: Po, edhe pse protokollet e mbrojtjes personale në Itali, janë shumë strikte, kategoria jonë e stomatologëve, hyn në atë me risk të lartë për t’u infektuar dhe transmetuar Covid-19. Ne punojmë në një distancë të afërt me pacientët, kështu që rrisku është më i lartë. Mbrojtja e vetes dhe pacientëve të mi, ka qenë një arsye më shumë për t’u vaksinuar.
Dritare.net: Cila është ndjesia e parë që kishit pasi injektuat vaksinën?
Dr. Blerina Demaliaj: Në momentin e parë, pas injektimit të vaksinës ndjesia e parë ishte ajo e lirisë. Duke konsideruar faktin që virusi qarkullon kudo, vaksina është arma e vetme mbrojtëse definitive që kemi.
Dritare.net: Vaksina është parë me skepticizëm nga një pjesë, duke folur më tepër për efektet anësore. Çfarë mund të na thoni për këtë? Ju personalisht patët efekte anësore pasi u vaksinuat?
Dr. Blerina Demaliaj: Po, në opinionin e përgjithshëm ka pak konfuzion në lidhje me këtë. Ndër efektet anësore që mund të paraqiten janë dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskulare, artikulare, ethe etj, dhe në raste shumë të rralla reaksione alergjike. Megjithatë mendoj se këto efekte anësore nuk duhet të na pengojne per t’u vaksinuar. Mjafton të kujtojmë që ky virus ka shkaktuar 1,86 milionë të vdekur në botë. Personalisht nuk kam shfaqur asnjë shenjë të efekteve anësore.
Dritare.net: Dyshuat në ndonjë moment, që të mos e merrnit vaksinën kundër Covid-19?
Dr. Blerina Demaliaj: Në asnjë moment nuk kam menduar të mos vaksinohem. Sigurisht që përpara u dokumentova dhe studiova mekanizmin e veprimit dhe efektet anësore te vaksines.
Dritare.net: Cilët po vaksinohen të parët në Itali? Si është situata aty?
Dr. Blerina Demaliaj: Në Itali prioritetin e kanë kategoritë më në rrezik si : operatorët sanitarë, e socio-sanitarë, të moshuarit që jetojnë në shtpite e të moshuarve, njerëzit me patologji të rënda sistemike. Situata varion nga krahina në krahinë. Deri tani ka rreth 84.730 të vaksinuar në gjithë Italinë.
Dritare.net: Çfarë menduat në kohën kur ishit e ulur në karrike, duke marrë vaksinën që po pritej prej kaq shumë muajsh?
Dr. Blerina Demaliaj: Në momentet kur po prisja për t’u vaksinuar, ndjenja që kisha ishte e lidhur me përgjegjshmërine pët të mbrojtur veten, familjen, të moshuarit, pacientët e mi. Ishte bindja që po bëja gjënë e duhur për të mposhtur më në fund këtë armik të padukshëm, që ka ndryshuar shumë jetët e të gjithëve ne, në mbarë botën, përgjatë këtij viti të pandemisë, Ishte ndjenja e respektit për të gjithë ata që sot nuk janë më si pasojë e ktij virusi të tmerrshëm. Dhe në fund, një ndjenjë lehtësimi dhe lirie që kisha kohë që e prisja.
Dritare.net: Sa orë qëndruat në monitorim pas injektimit të vaksinës?
Dr. Blerina Demaliaj: Pas vaksinimit qëndrova në monitorim 15 minuta për të parë nëse do shfaqej ndonjë reaksion alergjik, procedurë kjo që ndiqet për të gjitha vaksinat.
Dritare.net: Ju u vaksinuat në ditët e para të vitit, dozën e dytë kur do ta merrni?
Dr. Blerina Demaliaj: Doza e dytë merret 3 javë pas dozës së parë. Unë do marr dozën e dytë të vaksinës anti-kovid, më 23 janar.
Dritare.net:Mendoni se është pikërisht vaksina që do të normalizojë situatën në botë?
Dr. Blerina Demaliaj: Mendoj se është shumë se e qartë çfarë duhet të bëjmë për të mposhtur këtë virus. Respektimi i masave mbrojtëse , higjiena, respektimi i distancave dhe vaksina janë mënyra më efektive per arritjen e imunitetit dhe shuarjen e këtij virusi.
Dritare.net: Çfarë ka ndryshuar pandemia në jetën tuaj gjatë një viti?
Dr. Blerina Demaliaj: Izolimi social solli ndryshim në jetën e përditshme të secilit prej nesh. Vendin e bankave të shkollës dhe skrivanisë së zyrave e zuri kompjuteri. Të gjitha kategoritë u penalizuan nga ky izolim. Ndjenja e pasigurisë u bë pjesë e së përditshmes së secilit prej nesh. Prandaj ardhjen e vaksinës e shoh si një dritë jeshile në fund të tunelit. Por nga e gjithë kjo, unë shoh edhe aspektet pozitive. Këtë periudhë e kam shfrytëzuar për të qëndruar më shumë në familje me bashkëshortin dhe vajzën , gjë e cila më parë nuk ishte e mundur për shkak të impenjimeve të shumta profesionale. Gjithashtu kemi bërë një përmbledhje në brendësinë tonë dhe kemi rivlerësuar gjërat që kanë rëndësi vërtet për ne. Kemi kuptuar që shëndeti dhe natyra janë prioritete.
Dritare.net: Cili është mesazhi që jepni për të gjithë ata që janë në mëdyshje për të marrë ose jo vaksinën kundër Covid-19?
Dr. Blerina Demaliaj: Nuk duhet të harrojmë sa njerëz kanë humbur të dashurit e tyre, pa mundur t’i thonë as lamtumirë në momentet e fundit të jetës. Pandemia është sfida politike, sociale dhe ekonomike e shekullit tonë, por që pati nevojë për nje akt force të dimensioneve të mëdha. Ky akt force u realizua me ardhjen e vaksinës në kohë të shpejtë, falë teknologjisë së avancuar dhe shkencës. Mjafton të kujtojmë që nga shpikja e vaksinave janë shpëtuar miliona jetë. Dhe si thotë shpikesi i vaksinës së poliomelitit, Albert Bruce Sabin në vitin 1955 :“Unë krijova vaksinën që eliminoi poliomelitin, i cili përbënte një kërcënim kryesor për jetën e njerëzve në të gjithë botën. Pjesa tjetër është vetëm konfuzion”. Mesazhi im është: “Të kemi besim te shkenca“./dritare.net

















