Mjeku shqiptar që kreu transplant të një personi me Covid-19: Sfida më e vështirë e rrugëtimit tim!
Dritare.net
Nga Lorena Fjolla!
Kristo Papas, është një doktor shqiptar në Londër. I larguar prej 30-vjetësh nga Shqipëria, rrugëtimi i tij ka qenë i gjatë në fushën e mjekësisë. Së fundmi, në spitalin Royal Brompton, ku ai punon, së bashku me një ekip mjekësh, kanë realizuar një ndër operacionet më të rralla, transplant i mushkërive të një personi të infektuar me Covid-19. Në një prononcim për Dritare.net, ai tregon kjo ishte një sfidat më të vështira që ka kaluar përgjatë rrugëtimit të tij si mjek.
Dr. Kristo Papas: Operacioni ishte mjaft delikat pasi pacientja ishte me një dëmtim masiv në pjesën e mushkërive bilaterale. Mosha e saj e re, vetëm 25-vjeç në këtë rast ishte në favorin tonë si staf mjekësor por edhe në të sajin, pasi arriti ta përballonte mjaft mirë ndërhyrjen e cila zgjati përreth 8-orë. Gjendja e saj pas operacionit fillimisht ishte kritike pasi problemi ynë më i madh ishte një hemorragji e papritur por që arritëm ta stabilizojmë me sukses. Pacientja sot është mjaft mirë, gëzon shëndet të plotë dhe jam mjaft i lumtur që arritëm së bashku me stafin me të cilin punoj, të realizojmë këtë lloj transplanti që do ta cilësoja një ndër më të vështirët në këto kohëra, një sfidë e kaluar me sukses.
Profesioni im është plot momente të vështira por do ta cilësoja si një moment të vështirë edhe si një sukses vërtet të madh këtë transplant të saporealizuar duke qenë se u përballëm dyfish me vështirësi për shkak edhe të pacientes që ishte e prekur nga Covid-19.
Dritare.net: Prej sa vjetësh punoni jashtë vendit?
Dr. Kristo Papas: U bënë rreth 30-vjet që jam larguar nga Shqipëria tashmë. Që në moshën 6-vjeçare u larguam nga Shqipëria për t’u vendosur në Greqi së bashku me familjen. Më pas në moshën 18-vjeç fillova studimet e larta në Itali e me tej me eksperiencat e punës të cilat janë zhvilluar nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe Amerikës.
Papas ndonëse shprehet se Londrën e sheh edhe për shumë gjatë shtëpinë e tij në aspektin profesional, nuk përjashton mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave edhe në Shqipëri.
Dritare.net: Nga Italia, në Zvicër e më pas në Londër, cilat janë planet e ardhshme në planin profesional?
Dr. Kristo Papas: Eksperiencat janë të nevojshme dhe mjaft të rëndësishme dhe jam i detyruar shpeshherë edhe për shkak të punës të punoj edhe në vende të tjera në të njëjtën kohë por aktualisht në Londër jam gjithnjë e në rritje përsa i përket aspektit profesional pasi qendra në të cilën punoj është një qendër ndër më të mëdhatë në Mbretërinë e Bashkuar. Operacionet të cilat kryejmë në mushkëri dhe në zemër (ku mund të përmend kirurgjinë e rrënjës aortike, kirurgjinë miniinvasive , rikonstruksion të valves aortike) realizohen duke u bazuar në inovacionet më të fundit të shkencës.
Dritare.net: Si është situata tani në Britani? Në Royal Brompton, në çfarë pike jemi me krijimin e vaksinës?
Dr. Kristo Papas: Për momentin në Londër situata po normalizohet. Rastet me Covid-19 janë nën kontroll. Shpresojmë të mbajmë rezultate të tilla edhe me tutje . Përsa i takon vaksinës jemi në fazë eksperimentale dhe shpresojmë të kemi zhvillime e të reja të rëndësishme në shtator.
Dritare.net: Një vlonjat do të kthehet së shpejti në Vlorë për pushime?
Dr. Kristo Papas: Patjetër që po! E duam Vlorën pa masë, së bashku me familjen mezi presim të vijmë të shijojmë detin e bukuritë e saj të mrekullueshme që aq shumë na kanë munguar!/dritare.net