
Aktori i dashur i shqiptarëve, Erand Sojli, vjen sot me një rrëfim për gazetaren Rudina Xhunga, për punën e tij në Portokalli, jetën dhe karrierën në Amerikë dhe realizimin e ëndrrës së tij, Teatrin e Diasporës, për të gjithë shqiptarët kudo ata janë.
"Tashmë u bënë 7 vjet në Amerikë. Unë mbeta rastësisht këtu pas një projekti në Nju-Jork.
Vendosëm edhe për shkak të dëshirës së madhe të vajzave të nisim një jetë të re këtu. Nëse nuk do të na ecë, shtëpinë në Shqipëri e kemi, vendin nuk do të na e marrë kush, do të kthehemi. Pse të mos guxojmë kur jemi mirë?
Edhe këtu nuk bëj tjetër gjë veç artit e argëtimit. Puna e parë që bëra ishte krijimi i një kompanie për teatër dhe produksione filmi.
Sepse këtu ka shumë shqiptarë, prej të gjithë trevave shqipfolëse. Kështu nisi ëndrra për teatrin e diasporës. Teatri për mua është shumë i rëndësishëm, është një alternativë shpirtërore. Sepse një këngë e një valle të gjithë dimë ta këndojmë e kërcejmë. Por kjo nuk mjafton. Duke qenë se kjo gjë nuk ekzistonte këtu, me shumë dëshirë unë e nisa.
Është një teatër i lëvizshëm, në shkojmë kudo. Marjana Kondi është aktorja e parë e teatrit të diasporës, që na u bashkua sepse ajo i besoi ëndrrës sime. Në shfaqjen Femrat e Mia, Marjana luan rolin e nënës, ndërsa Kieda Budini, e cila luan rolin e nuses, është një aktore që jeton në Vjenë, por vjen herë pas herë këtu.”, u shpreh Sojli në Dritare TV./K.C/dritare.net

















