
Takimi në DASH/ Nasto: Ripohim për mbështetjen amerikane ndaj SPAK-ut!
Dritare.net
Në emisionin Shqip në Dritare TV, nënkryetari i “Vatrës” në Chicago, njëkohësisht dhe studiues i politikës amerikane Ernest Nasto, komentoi takimin e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, në Departamentin e Shtetit, duke e cilësuar një sinjal të fortë për mbështetjen amerikane ndaj reformës në drejtësi.
“Ky ishte takimi i parë i një zyrtari të lartë amerikan me SPAK-un dhe ka një rëndësi të veçantë. Administrata amerikane po tregon se mbështet fuqishëm pavarësinë e institucioneve shqiptare dhe luftën kundër korrupsionit,” – u shpreh Nasto.
Sipas tij, ky takim nuk lidhet me individë të veçantë, por me forcimin e një institucioni kyç:
“Mbështetja amerikane nuk është për persona të caktuar, por për institucionin. Është një sinjal i qartë për këdo që është nën hetim ose në pritje vendimesh: drejtësia duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.”
Nasto shtoi se ky zhvillim është edhe një mesazh për diasporën shqiptare:
“Është ftesë për shqiptarët kudo që janë, që të mbështesin reformat dhe të kontribuojnë për një shtet funksional dhe të drejtë. Shqipëria ka të ardhme vetëm duke ndërtuar institucione të forta.”/dritare.net

















