Inxhinieri Qemal Zyfi është një ndër shembujt e duhur se pavarësisht sfidave që përballesh në punë, nuk duhet të dorëzohesh për pasionin që ke ndaj saj. Zoti Zyfi është një ndër të plagosurit teksa ndërtohej tuneli i Porto Palermos, ku pasojat ishin të rënda, duke u endur muaj të tërë nëpër spitale.
Ai falënderon mjekun Luan Greva, duke theksuar se ky i fundit i ka shpëtuar jetën asokohe.
“Në një nga objektet e Porto Palermos, në tunelin numër 4 unë jam aksidentuar. Tunele mbrojtëse fillojnë që në Pilur, nuk është vetëm porta kryesore. Ka tunel edhe në zonën e Potamit. Të gjitha tunelet komunikojnë me pjesën kryesore. Brenda në Porto Palermo veç tunelit të madh janë dhe 3 të tjerë, në të njëjtën zonë ushtarake. Në Porto Palermo punohej me sigurim teknik të mirë. Të gjithë punonin me helmetë, i nënshtroheshin rregullave të sigurimit teknik. Ditën që ndodhi aksidenti, po përfundonim punimet, ishte një zonë që nuk po merrte formën e harkut dhe shkova për ta kontrolluar vetë. Në këtë moment zona, me një gjerësi prej 12 metra u shemb, më zuri brenda.
Qëndrova i mbuluar 4 minuta, pastaj më nxorën dhe u shtrova në spitale. 8 muaj nëpër spitale. Ai që më shpëtoi pas 3 operacioneve ishte mjeku Luan Greva. Nuk ishte thjesht mjek në spitalin Ushtarak, sapo ishte kthyer nga studimet nga Kina, merrej me riaktivizimin e nervave pas frakturave.
Unë isha një rast ekstrem, si pasojë e frakturave që kisha”, tregoi inxhinieri./M.K-dritare.net