
Si funksionon sistemi i sigurisë në shkollat zvicerane dhe amerikane! Flasin mësuesit shqiptarë!
Dritare.net
Drita Gjongecaj në Nju-Jork dhe Vaxhid Sejdiu në Zvicër janë mësuesit e shqipes në diasporë. Të ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV ata treguan që në Zvicër dhe Nju-Jork janë hapur qindra klasa, ku përmes iniciativave individuale dhe mësuesve vullnetarë ata u mësojnë fëmijëve emigrantë shqip. Ndër të tjera ata tregojnë edhe se si funksionon sistemi i sigurisë në shkollat ku ata japin mësim.
Drita Gjongecaj-Nju-Jork: Nëse ka një numër prioritetesh në shkollat e Nju-Jorkut një prej tyre është siguria. Një nga rolet e mia në shkollën e Nju-Jorkut është edhe siguria. Çdo shkollë ka një komitet të sigurisë që përbëhet nga anëtarë kyçë të asaj shkolle. Çdo shkollë ka një person me uniformë, në hyrje të godinës. Ka edhe raste fiktive të alarmit. Gjatë vitit ne bëjmë edhe prova, duke vendosur kambanën e alarmit dhe nxjerrim nxënësit, për të ditur nëse ka një rast urgjence ose mungesë sigurie, edhe si do të veprojnë. Gjithçka është e përcaktuar.
Këto prova bëhen disa herë në vit. Secili nxënës do të dijë ku të dalë, ku të hyjë, cilën shkallë duhet të përdorë. Ne kemi për detyrë edhe të sigurohemi jashtë që askush nuk ka ngelur brenda në shkollë.
Asnjë nxënës në shkollën tonë nuk mban armë. Kontrollet janë në shkolla të mesme. Nëse në shkollë ka një historik dhune, ka edhe dyer magnetike, nxënësit hyjnë në skaner. Kur ka raste bullizmi, konflikti, ose dyshim e raportim për bullizëm, ne jemi të detyruar të kalojmë përmes një investigimi të plotë si shkollë. Nëse fëmija im ka thënë që shoku/shoqja e klasë më ka thënë një fjalë; p.sh: “Do të të ther!”, ne do shohim gjithë historikun, hetojmë, ta dokumentojmë. I pari vjen koncepti i sigurisë. Mbase nuk ka diçka, por duhet të hetojmë. Pastaj është edhe përgjegjësia; Përgjegjësia jonë morale, që fëmija të jetë i sigurt, përgjegjësia profesionale, se ti do vihesh para përgjegjësisë. Gjithë investigimi do jetë i dokumentuar, në një sistem online, në të cilin kanë akses shkolla, drejtoria arsimore, por edhe qendra e sigurisë për lagjen. Nëse futesh në sistem, ngelesh aty me dekada. Ajo që është më pozitive është fakti që asgjë nuk i lihet rastësisë, këndvështrimit të prindërit apo mësuesit. Edhe po ndodhi diçka jashtë shkollës përgjegjësia jonë është pak më e vogël. Por edhe kjo dokumentohet në sistem sepse verifikohen herë pas here. Tregojmë herë pas herë çfarë masash janë marrë, ku janë dërguar nxënësit, në programe, te psikologu etj. Sepse gjetjet e këtij hetimi kanë ndihmuar edhe prindërit. Po ashtu ne në Amerikë kemi edhe një javë ndërgjegjësimi për nxënësit, gjatë së cilës flasim për sigurinë, për respektimin e shok-shoqes, me ekspertë që tregojnë edhe shembuj konkretë.
Vaxhid Sejdiu-Zvicër: Shkollat zvicerane kanë përkujdesjen institucionale. Për këtë arsye shtetet si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, që nuk janë në këtë shkallë të përkujdesjes institucionale, do ishte mirë që të marrin modelet e tyre, të shohin si organizohen. Zvicra është larg sistemit të sigurisë së fëmijëve, më të gjitha shtetet, edhe me SHBA-të. Sepse ka përkujdesje institucionale, çdo gjë është në vendin e vet. Kështu nuk ka probleme, ose janë probleme minimale që tejkalohen përmes komisioneve, strukturave që ka shkolla. Sepse çdo shkollë ka strukturat e veta dhe përkujdesen. Edhe ai shtëpiaku i shkollës që banon në shkollë, përkujdeset si për të si për shtëpinë e vet. Në shumicën e shkollave fillore në Zvicër, shtëpiaku, ose mirëmbajtësi i shkollës, e ka shtëpinë te shkolla. Ai ka përgjegjësi më shumë se drejtori për atë çfarë ndodh në shkollë. Për këtë arsye rastet që dëgjojmë në SHBA, që janë shumë të rënda, ose në shtete të tjera nuk i dëgjon në Zvicër. Përkujdesja nga fjala e vogël, deri në përfundimin e asaj fjalë, detektimi i problemeve, duke bërë këtë shkollat zvicerane shkojnë shumë lart./K.C/dritare.net

















