
Përmes shqipes plotësojmë boshllëkun si emigrantë! Çfarë po ndodh me shqiptarët e Amerikës dhe Zvicrës!
Dritare.net
Drita Gjongecaj në Nju Jork dhe Vaxhid Sejdiu në Zvicër janë mësuesit e shqipes në diasporë. Të ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV ata treguan që në Zvicër dhe Nju Jork janë hapur qindra klasa, ku përmes iniciativave individuale dhe mësuesve vullnetarë ata u mësojnë fëmijëve emigrantë shqip.
Drita Gjongecaj: Unë jam përfshirë në arsimin publik në Nju Jork. Jam nëndrejtore në një shkollë publike 8-vjecare prej 14 vjetësh. Unë kam mbaruar universitetin për gjuhë letërsi në Tiranë, shkollat shqiptare në Nju Jork po hapen nga shoqata apo individë vullnetarisht. Unë gjithashtu punoj vullnetarisht në shkollë si mësuese e gjuhës shqipe. Ne ia kemi vendosur vetes detyrë sepse ne jemi larguar nga Shqipëria, por kokën e kemi pas, ndaj kjo është një mënyrë që ne plotësojmë boshllëkun që kemi si emigrantë.
Vaxhid Sejdiu: Hapja e çdo pike shkollore në Zvicër na zbut plagën e kurbetit. Jo vetëm për ne mësuesit por edhe për nxënësit. Nuk ka gëzim më të madh se ne kur nxënësit shqiptarë mblidhen bashkë e mësojnë shqip. Në tre katër vitet e fundit kemi hapur mbi 100 pika shkollore, që është një klasë brenda një fshati apo qyteti, ku mblidhen fëmijët shqiptarë por edhe prindërit që mësojnë shqip./L.F-dritare.net

















