Na ndiqni edhe në

Shqip

Regjisori Saimir Bajo: Ka ardhur çasti që Shqipëria të bëhet qendër e produksioneve filmike ndërkombëtare

Regjisori Saimir Bajo: Ka ardhur çasti që Shqipëria të

Në një intervistë në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, regjisori Saimir Bajo ka folur gjatë për gjendjen dhe të ardhmen e kinemasë shqiptare, duke theksuar se vendi ka potencial të madh, por ende mungon struktura industriale që e bën filmin të qëndrueshëm ekonomikisht dhe ndërkombëtarisht. Bajo u shpreh se një nga problemet kryesore të kinemasë shqiptare është mungesa e kthimit të saj në industri:

“Kinemaja shqiptare duhet patjetër të bëhet industri. Nuk duhet të mbetet vetëm te disa filma që shkojnë në festivale dhe nuk arrijnë te publiku.”
Ai theksoi se Shqipëria ka potencial të madh natyror dhe artistik, por duhet një strategji më e qartë zhvillimi:

“Shqipëria i ka të gjitha: malet, detin, historinë, modernitetin. Mund të transformohet jo vetëm në vend turistik, por edhe në një qendër produksioni filmik.”


Regjisori u ndal edhe te momenti aktual që, sipas tij, është vendimtar për industrinë e filmit në vend:

“Mendoj që Shqipëria tani është në momentin e duhur. Nëse ky hap nuk bëhet tani, mund të humbasim një shans shumë të madh.”
Ai solli si shembull vendet e Evropës Qendrore që kanë ndërtuar industri të forta filmi duke tërhequr produksione ndërkombëtare:

“Ashtu si Çekia apo Hungaria, edhe Shqipëria mund të bëhet destinacion për produksione të mëdha, nëse krijon infrastrukturën dhe politikat e duhura.”




Bajo theksoi se kinemaja nuk duhet parë vetëm si art, por edhe si ekonomi:

“Një film i realizuar në Shqipëri nuk sjell vetëm art, por sjell ekonomi, turizëm dhe punësim. Është një industri që përfshin shumë sektorë.”
Sipas tij, zhvillimi i kinemasë do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në promovimin ndërkombëtar të vendit:

“Shfaqja e Shqipërisë në filma ndërkombëtarë sjell vëmendje, investime dhe interes për vendin.”

Në fund të intervistës, regjisori apeloi për më shumë bashkëpunim mes institucioneve dhe artistëve:

“Duhet të jemi të hapur. Kjo industri nuk bëhet vetëm. Duhet bashkëpunim mes artistëve, shtetit dhe sektorit privat.”/K.C/dritare.net