
Në vitin ’93, kush e besonte që do isha ajo këngëtarja. Tani them kjo është Ermonela!
Dritare.net
Tashmë ka arritur majat dhe po e shijon suksesin e saj. Por deri këtu ka patur shumë sfida, zhgënjime, por mbi të gjitha këmbëngulje dhe punë, shumë punë. Në “Shqip” me Rudina, sopranoja e skenave elitare tregon se tashmë është në një nga momentet e saj më të mira dhe se pa duhet të lësh një energji pozitive.
Ermonela Jaho: Kjo periudha e Covid-it ka qenë një leksion shumë i madh, sepse në momentin që ke një karrierë të tillë që kërkohesh gjithandej, padashje bën një largim nga realiteti sepse të duket sikur cdo gjë e ke arritur dhe je në majë. Një gjë e tillë ndodhi në kohën e Covid, të gjithë e vuajtën, por artistët më shumë, sepse teatrot u mbyllën. Për një artist është t’i heqësh oksigjenin. Aty e kupton që duhet të jetosh momentin, sepse gjërat e vogla nuk kanë rëndësi. Për t’i bërë vetes tënde dhe emrin tënd në botën e pamëshirëshme të operas, fillon t’i shikosh gjërat me lupë dhe shqetësohesh. Por tani qesh më këtë gjënë, sepse reflekton. Ka qenë edhe një luftë e madhe me veten time që të jem pak e mëshirëshme me veten time. E kam torturuar veten time që e vogël, adoleshente, nuk e kam jetuar adoleshencën time sepse po punoja vazhdimisht, mbijetoja. Me kalimin e kohës pastaj, e kupton që ja vlejti cdo gjë.
Rudina Xhunga: Por po jeton tani? Unë të pyeta për Barcelonën. Më the jam Anxhelika.
Ermonela Jaho: Prapë, kur punoj, kur shikoj zanatin dhe këndimin, jam Anxhelika. Në date 15 dhjetor është shfaqja ime e fundit. Atëherë, unë bëhem Ermonela. Është përgjegjësia prandaj, dhe e jeton si diçka të bukur. Nuk e jeton me stres. Për mua ishte bërë një lloj torture e ngjitura në skenë me frikën se do të gjejnë ndonjë gabim që unë e shikoj. Fillon një energji që të heq komplet fokusimin dhe fillon te fokusohesh te difekti dhe kjo gjë përcillet. Me kalimin e kohës, ti e kupton që ti nuk do t’i pëlqesh të gjithëve.
Rudina Xhunga: Me çfarë mund të arrihet kjo, nëpërmjet eksperiencës, moshës..?
Ermonela Jaho: Kjo arrihet me një lloj përgjegjësie. Unë jam shumë serioze me punën time, edhe nëse e kam kënduar një opera, sa her ngjitem në skenë, por mua është hera e parë. Përgjegjësia është gjithmonë aty, sepse ke një emër për të mbrojtur. Je i sinqertë me veten tënde, sepse nuk mund të jesh dikush që nuk je. Tani them kjo është Ermonela, kjo është eksperienca ime. i kam dedikuar jetën time këtij zanati, që për mua është terapi. Sa herë jam në skenë është një përqindje e Ermonelës që vdes në skenë me personazhin, dhe kjo është e vërtetë sepse e shikoj nga reagimi i publikut. Jam koshiente për këtë gjë, e ndjej veten me fat, duke filluar nga pallati i pionerëve.
Ëndrrën e realizova dhe tani jetoj për ta shijuar atë për të shkuar në një dimension tjetër. Një dimension që shkon mbi notat, mbi emrin, mbi të qenurit famoz. Është një dimension human.
E çoj veten në një dimension që harroj që jam Ermonela, është një lloj empatie që krijon në role. Kur arrin në atë lloj ekstrem, cdo gjë tjetër të duket aq sipërfaqësore. Kur kthehesh mbrapa, thua, ja arrita. Ja ajo vajza që askush nuk besonte. Se në vitin ’93, kush e besonte që do isha ajo këngëtarja… Por ja dola, kjo është një gjë e mirë. Duhet të lesh modesinë mënjanë dhe të shijosh realizimin e ëndrrës tënde. Është edhe një lloj detyrimi për brezin e ri, duke i thënë që si ja dola unë, mund t’ja dalin dhe ata. Me ato mundësi, duke ardhur nga Shqipëria. Nuk duhet të bësh kompromis me ëndrrën tënde, me pasionin tënd, sepse asgje nuk është e pamundur. Duhet të japim një shembull pozitiv, por me një dritare të hapur shprese.
Sepse suskesi im është sot, nuk do të thotë që do të jetë nesër. Çdo gjë mbaron një ditë. Por të paktën duhet të lesh një energji pozitive, që ‘ja doli dhe kjo vajza shqiptare nga hiçi, që arriti të bëhet dikushi’. Është e mundur që ëndrrat mund te realizohen. Ka një punë të madhe, një punë të jashtëzakonshme, sepse pa punë, edhe ëndrra më e bukur nuk mund të arrihet. Sepse jetojmë në epokën e digjitalizimit dhe nganjëherë krijojmë një imazh false. Duket sikur suksesi arrihet me një fotografi të bukur, me filtra. Ti do bëhesh një këngëtare e madhe, sepse ke bërë këtë photoshooting. Edhe ajo duhet se njeriu prezantohet, por ti duhet të arrish të bësh diçka cilësore, sepse gjërat e mira marrin kohë. Ndaj, duket sikur suksesi arrihet shpejt sepse ke sa më shumë ‘likes’. Në disa momente edhe mundet, por jo në art. Aty je një gladiator i skenës, sepse shpirti yt human, ndjenjat e tua, përgatitjet tuaja përballen me publikun, ndaj duhet të jesh i zoti te realizosh diçka në skenë. Jo ajo fotografia. /dritare.net

















