Na ndiqni edhe në

Shqip

Kadareja dhe e vërteta e tij për Kanunin dhe gjakmarrjen! Flet Mark Palnikaj!

Kadareja dhe e vërteta e tij për Kanunin dhe gjakmarrjen! Flet Mark

Në novelën “Prilli i thyer” Ismail Kadare shtjellon me një qasje artistike, mënyrën e jetesës në malësitë e veriut, si i rregullonte Kanuni marrëdhëniet në shoqëri dhe shumë të tjera. Por a përputhen ato që thotë Kadareja me realitetin? Si vepronte Kanuni në realitet? Studiuesi Mark Palnikaj, i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv shprehet se Kadareja ka gatuar një novelë të bazuar në ngjarje të vërteta të ndodhura në Malësi. Ai tregon disa nga ngjarjet më të bujshme që ka futur Kadareja në novelë, që kanë ndodhur kohë më parë në Malësi, nga spiunimi i mikut, te nëna që fali vrasësin e djalit dhe besën e dhënë te një cjap.

Mark Palnikaj: Ismail Kadareja ka marrë miell nga Kanuni dhe ka gatuar një novelë që e ka shkruar me ngjarje të vërteta të cilat i ka ngritur në art dhe ka bërë një ëmbëlsirë që po ta kthesh në anglisht dhe frëngjisht do i pëlqejë edhe lexuesve të huaj. Kanunin nga një të drejte zakonore e ka kthyer në një vepër letrare të mirë.

Në këtë vepër Kadareja ka marrë shembuj nga Dukagjini dhe Malësia e Gjakovës. Vetëm nuk u ka vënë emra konkretë personazheve. Ata kanë qenë personazhe reale dhe me ndikim, të përfshira në disa ndodhi në Malësi. Po ju përmend një ngjarje në Mirditë që e tregon Kadareja në novelë:

Në fshatin Gojan, dikush ka qenë në gjak. Ka shkuar dhe është strehuar në fshatin Gojan. I zoti i shtëpisë ka shkuar edhe i ka treguar gjakësit. “Ka ardhur te shtëpia ime, dil e vraje!” Mirëpo kjo punë u zbulua dhe fshati u mblodh, e kanë marrë atë që spiunoi mikun dhe e vranë në mes të fshatit. Këtë e thotë Kadareja, është ngjarje e vërtetë. Institucioni i mikut thotë: “Shqiptari djalin e vëllait ta fal, mikun nuk ta fal.” Pra pajtoheshin njerëzit kur falej djali, ndërsa për mikun nuk merreshin pleqtë, nuk kishte pajtim. Ka qenë tabu shumë e fortë dhe ka qenë institucion shumë i fortë për ruajtjen e mikut. Sepse miku krijonte mundësi që të kishte më pak vrasje, krijonte siguri në komunitet. Kadareja tregon dhe një ngjarje tjetër të malësorit që i fali besën çjapit. Dhe kjo është e vërtetë. Pra Kadareja ka bërë një ëmbëlsirë, por është bazuar në ngjarje të vërteta. Kadareja trajton artistikisht edhe ngjarje kur nëna merr në besë gjakësin e djalit. Gratë kanë hyrë ndërmjet burrave dhe nuk kishte kush të drejtë ta vriste gruan. Gruaja thoshte: ulni armët. Ka pasur autoritet të padiskutueshëm. Kishte të drejtë të marrë në besë. Besa për malësorët nuk ka qenë krijesë koti, por ka qenë një mekanizëm që i ka sjellë shumë të mira që mos vriteshin njerëzit. Sepse marrja e gjakut te njerëzit e afërm të atij që kishte bërë vrasjen është e dënueshme kudo në botë. Kadareja e ka përshkruar shumë bukur institucionin e besës, e ka ngritur lart. Besa ka qenë një institucion për të krijuar një mundësi për të lëvizur lirshëm. Që në mesjetë, 1640, 7 ditë para dhe 7 ditë mbrapa një feste ishte amnistie e përgjithshme, nuk guxonte kush me marr gjak. Kjo ka qenë licencë, metodë për t’i dhënë liri të ngujuarve.

Dritan Hila: Një aspekt tjetër që përmend Kadareja janë kullat e ngujimit, kanë ekzistuar vërtet?

Mark Palnikaj:Në Shqipëri kanë ekzistuar vetëm dy, në Curraj dhe në Theth. Në Curraj kjo kullë është shembur, në Theth është e ruajtur, e konstruktuar. Njerëzit vriteshin për sherre banale. Njëherë ziheshin, ai që ishte më gjaknxehte e vriste kundërshtarin dhe nuk kishte mundësi të ikte shumë, sepse shtëpitë ishin afër njëra-tjetrës. Për 24 orë po të zunë kudo të ishe të vrisnin. Ai shkonte e fshihej te Kulla e Ngujimit. Këta të tjerët shkonin jashtë kullës për ta vrarë, luftonin për 24 orë. Po u mbrojte 24 ore, pas 24 orësh duhet të uleshe në tryezën e bisedimeve, uleshe të haje, qetësoheshin gjakrat, merreshin njerëz nga të dyja palët e diskutoheshin rrethanat e vrasjes. Kulla e ngujimit ka qenë kulla e askujt, ka qenë për t’u ngujuar vrasësit./K.C/dritare.net